Prishtinë 28 Shkurt 2026 9:15
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi sot në Shkup se Shqipëria e mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe se nuk është e drejtë që ajo të mbetet jashtë proceseve euroatlantike.
“Shqipëria e vlerëson Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin me Kosovën, për mbështetjen dhe për faktin se ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e saj. Kjo është një investim në sigurinë e gjithë rajonit”, tha Begaj në fjalimin para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është element kyç për afrimin me Bashkimin Evropian.
“Integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i Shqipërisë, por projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i zhvillimit të vendeve tona. Vendet tona meritojnë më shumë mbështetje në rrugën drejt integrimit evropian, sepse anëtarësimi nuk është vetëm proces natyral, por proces i merituar nga i cili përfitojnë si rajoni, ashtu edhe BE-ja”, u shpreh ai.
Begaj shtoi se Evropa nuk është vetëm destinacion, por standard; se Evropa nënkupton sundim të ligjit, institucione funksionale dhe barazi për të gjithë qytetarët.
“Maqedonia e Veriut ka marrë vendime të vështira, dhe Shqipëria ju ka mbështetur pa hezitim. Fqinjësia nuk është vetëm realitet gjeografik. Çfarëdo që të ndodhë në nivel ndërkombëtar, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbeten fqinje. Nuk ka rëndësi vetëm sa afër jemi, por sa të fortë jemi së bashku dhe si do të bashkëpunojmë, koordinohemi dhe sa vizionarë do të jemi”, tha Begaj, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MIA.
Presidenti shqiptar mbërriti dje pasdite në një vizitë tre-ditore në Maqedoninë e Veriut, të cilën e nisi në komunën Çair të Shkupit, ku kryetar është Izet Mexhiti, një nga liderët e koalicionit qeverisës shqiptar VLEN.
Sot, Begaj zhvilloi takime me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e parlamentit, Afrim Gashi.
Vizitën në Maqedoninë e Veriut, Begaj do ta përmbyllë nesër në Tetovë, ku kryetar komune është Bilal Kasami, po ashtu një nga liderët e VLEN.

Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari