Prishtinë, 26 shkurt 2026 15:20
Akademiku Arsim Bajrami ka shpallur kandidaturën e tij për president të Kosovës.
Në një status në Facebook ku është drejtuar kryetarëve të partive për unitet, ai ka deklaruar se e shpreh gatishmërinë që të jetë një prej kandidatëve konsensual për president.
Ish-deputeti i PDK-së, ka shkruar se në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës, kërkohet unitet politik konsensual për zgjedhjen e Presidentit me qëllim të shmangies së krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Derisa ka përmbledhur përvojën e tij në institucionet e vendit, Bajrami ka deklaruar se i plotëson kushtet për të qenë një nga kandidatët për president konsensual.
Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami i cili ishte edhe ministër i Administratës Publike në periudhën 2011-2014 dhe ministër i Arsimit në periudhën 2014-2017.
Ai ka thënë se e vlerëson edhe vendimin e Murat Jasharit, i cili të mërkurën deklaroi se nuk ka interesim e as qëllim për t’u bërë president.
Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit, Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare”, ka deklaruar ai.
Bajrami ka thënë se shpreh gatishmërinë për angazhim të vazhdueshëm institucional, akademik dhe publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar dhe të drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, kundër çdo përpjekjeje për demonizimin e saj apo për rishikimin selektiv e diskriminues të historisë nga Dhomat e Specializuara, në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të së vërtetës historike.

Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Ministria e Kulturës ndan afro 200 mijë euro për restaurimin e Përmendores së Minatorëve në Mitrovicë
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?