Prishtinë, 22 shkurt 2026 13:45
Disa qytetarët serbë kanë protestuar të martën para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, e cila është e vendosur në një ndërtesë me Zyrën e BE-së. Ata kanë kërkuar anulimin e të gjitha marrëveshjeve me Kosovën, në ditën e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë thënë se “herët a vonë, me dëshirë apo me forcë, Kosova do të rikthehet në rendin kushtetues-juridik të Serbisë”.
Në tubim është thënë se protesta ishte organizuar para selisë së BE-së sepse në atë ndërtesë po bëhen “marrëveshjet e fundit me regjimin tradhtar në Beograd”, siç thuhet për të përfunduar ndarjen e Kosovës nga Serbia.
Mirëpo, pse kërkohet anulimi i të gjitha marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë pikërisht në 18-vjetorin e Pavarësisë? Kush qëndron pas organizatës “Tubimi serb” dhe çfarë agjende politike ka ajo?
Lidhur me këtë ҫështje profesori universitar, Prof.dr. Fejzulla Berisha ka thënë se, kjo nuk është një protestë e zakonshme, por një veprim me simbolikë të fortë politike.
“Ky veprim, i zhvilluar në një datë simbolike, nuk është thjesht protestë – ai përbën përpjekje për të delegjitimuar procesin e normalizimit dhe për të sfiduar realitetin juridik ndërkombëtar”, thekson ai.
Kërkesat për anulim të marrëveshjeve janë të pabazuara juridikisht dhe rrezikojnë stabilitetin rajonal
Sipas tij, përvjetori i Pavarësisë mbart kuptime të ndryshme për palët.
“Për Kosovën është afirmim i sovranitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar, ndërsa për nacionalistët serbë shërben si mjet mobilizimi politik dhe përforcim i narrativës së mosnjohjes. Në të njëjtën kohë, për opinionin ndërkombëtar synon të krijojë presion ndaj Brukselit dhe partnerëve perëndimorë”, shpjegon Berisha.
Ai thekson se kërkesat për anulimin e marrëveshjeve të dialogut nuk kanë asnjë bazë juridike.
“Këto kërkesa bien ndesh me standardet e së drejtës ndërkombëtare dhe janë të papranueshme në çdo aspekt ligjor”, deklaron profesori.
Duke iu referuar Mendimit Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Berisha nënvizon se pavarësia e Kosovës është e konfirmuar ndërkombëtarisht.
“Ky akt është përfundimtar dhe nuk lë hapësirë për interpretime selektive apo manipulime politike”, shton ai.
Sipas tij, narrativa që vjen nga Beogradi shpesh përpiqet ta paraqesë Kosovën si çështje të hapur, por realiteti është ndryshe.
“Kosova është shtet i konsoliduar, sovran dhe pjesë aktive e rendit ndërkombëtar”, thotë Berisha.
Profesori paralajmëron se çdo tentativë për të prishur marrëveshjet e dialogut do të kishte pasoja serioze.
“Prishja e tyre do të bllokonte procesin e normalizimit, do të pengonte integrimin evropian të Serbisë dhe do të rrezikonte sigurinë rajonale, duke minuar edhe rolin e ndërmjetësimit ndërkombëtar”, thekson ai.
Në lidhje me organizatorët e protestës, ai vlerëson se bëhet fjalë për struktura me prirje nacionaliste.
“Këto organizime shpesh instrumentalizohen politikisht për të testuar reagimin publik ndaj ideve radikale dhe për të ushtruar presion në procesin e negociatave”, shprehet Berisha.
Ai dënon edhe retorikën e përdorur në protestë.
Deklaratat për ‘rikthim me forcë’ janë jashtë çdo standardi demokratik dhe përbëjnë shkelje të parimeve të rendit ndërkombëtar të sigurisë”, thekson ai.
Duke folur për pozitën aktuale të Kosovës, Berisha vlerëson se ajo është tashmë një faktor stabiliteti në rajon.
Kosova ka institucione funksionale, mbështetje të fuqishme nga partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-në, dhe rol aktiv në mekanizmat ndërkombëtarë të paqes”, deklaron ai.
Në fund, ai nënvizon se sovraniteti i Kosovës nuk është çështje negociimi.
“Sovraniteti është i pakthyeshëm, integriteti territorial i garantuar dhe orientimi euroatlantik i pandryshueshëm. Historia nuk mund të ndryshohet me protesta simbolike – e ardhmja kërkon dialog dhe respekt të ligjit ndërkombëtar”, përfundon Berisha.

Ivan Niniq: Beogradi sakrifikoi serbet e Kosovës për interesa politike, ndërsa Radoiçiq ende është i lirë
Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00
Kurti: Mbrëmë u kam shkruar Hamzës dhe Abdixhikut, por nuk janë përgjigjur për çështjen e presidentit
Slobodan Radenkoviq dënohet me 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmet në Zveçan
Haxhiu sot pret në takim kryetarin e KQZ-së pas shpërndarjes së Kuvendit
Zbulohen mbetje mortore në Krushë të Vogël – dyshohet për person të zhdukur nga lufta