Prishtinë, 18 shkurt 2026 12:53
Me diskutime të shumta, me 6 vota “për”, 0 kundër dhe 1 abstenim kaloi projektligji për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës të vitit 2026 nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.
Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami theksoi se shmangia e buxhetit në Kuvend ka shkaktuar kufizim.
“Sa i përket buxhetit, ne si deputetë që po zgjidhemi për herë të parë, jemi duke bërë të njëjtën fushë gjërash në këtë proces. Besoj që në këtë rrugë ka kaluar secili prej jush para nesh. Edhe ne e kemi shqyrtuar buxhetin; e di prej praktikave të mëhershme parlamentare që një periudhë e rishikimit dhe analizës së buxhetit në të kaluarën ka qenë më e madhe. Mirëpo kjo shmangia që është bërë në Kuvend neve na kufizon dhe kemi një hapësirë shumë të limituar, që po ashtu na limiton për të dhënë vërejtje përmbajtësore. Këto nuk janë vërejtje kundër dikujt, por fusha që mbulojmë do të jepte zgjidhje. Ne e kemi parë këtë buxhet. Natyrisht që do të ishte shumë mirë që të gjitha organizatat që ndikohen nga buxheti dhe që ndërlidhen me të drejtat e njeriut t’i kishim këtu në këtë komision për t’i dëgjuar edhe nevojat e tyre. E di që ata mund t’i parashtrojnë përmes shkrimit, por diskutimet e tilla do të peshonin më shumë për përmbajtje. Meqë nuk kemi këtë kohë, ne i kemi parë disa gjëra për të cilat duhet të ketë përmirësime dhe ne do të propozojmë disa amendamente, varësisht prej afateve kohore që janë përcaktuar. Për sa i përket sot, unë i kam dy tema që më shumë hyjnë në fusha dhe rubrika të tjera që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, për të cilat besoj që flasim më vonë”, tha Behrami.
Anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj pati pyetje për thirrjen e këtij Komisioni.
Është një komision i rëndësishëm që ka Kuvendi i Kosovës, duke marrë parasysh tash edhe këtë ndarjen që është bërë, e cila nuk është e definuar as në Rregulloren e Punës së Kuvendit, por as me ndarjen e ministrive. Dhe ndoshta këtu jemi edhe ne te ky ‘handikap’ për mendimin tim, për ndarjet buxhetore, duke marrë parasysh që nuk e dimë akoma se si do të bartet procesi buxhetor në atë që i takon përgjegjësisë së Punës, Familjes apo edhe të Drejtave të Njeriut, që shumica bien në fushëveprimtarinë e MPMS-së (Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale) siç ishte dikur. Dhe pjesa tjetër që është shtuar, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticionet, që është pjesë procedurale dhe i takon kushtetutshmërisht qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, unë e kam edhe një pyetje: për çfarë po diskutojmë dhe për çfarë po mblidhemi? Sepse, e para, është në shqyrtim Ligji për Ndarjet Buxhetore. A jemi në lexim të dytë duke e shqyrtuar, apo mes dy leximeve? Apo ka mbetur nga ajo që ka qenë pjesë e domosdoshme e respektimit procedural të votimit në parim? Sepse ligji veç ka kaluar, tash me shmangie të rregullores, domethënë të afateve. Dhe ne do të duhej të ishim sot në shqyrtimin e dytë të ligjit, ose të amendamenteve që propozohen nga deputetët. Amendamente nuk kemi, kështu siç po e shoh s’ka as material, dhe kjo pjesë për neve është ‘pa përmbajtje’ për çfarë e kemi futë sot në rend dite. Nëse është për lexim të dytë, atëherë duhet të jetë shqyrtimi i projektligjit në lexim të dytë dhe të kërkohet vota e komisionit: për, kundër apo abstenim. Nëse keni ndonjë informacion shtesë, është çështje tjetër, por proceduralisht është gabim për atë që është vendosur. Pasi ka kaluar në seancë plenare, ne tash jemi në mes të dy leximeve. Por, edhe të ishim në mes të dy leximeve, duhet të priten amendamentet e deputetëve ose edhe të grupeve kuvendore, të shohim a implikojnë fushëveprimtarinë tonë (që ka të bëjë me këto katër fusha që tash janë specifike) dhe ne të vendosim mbi ato amendamente se si do të votojmë. Kjo është ajo që desha ta them. Për pjesën e të ndryshmeve, sigurisht do të dakordohemi për kohën, orarin dhe ato që na takojnë. Dhe mirë është që sa më shpejt të kërkojmë ndarjen e përgjegjësive të komisionit, t’i aplikojmë në fushave të ndryshme në raportimet e ministrave apo të njerëzve që i përgjigjen komisionit. Por, kështu siç e keni thirrë sot këtë mbledhje të komisionit, është mirë që po konsolidohemi e po takohemi, por është pa përmbajtje. Edhe njëherë po e them: është pa përmbajtje, sepse shqyrtimi i projektligjit ka kaluar, leximi i parë është bërë, ne jemi në mes të dy leximeve me afate të shkurtuara.

Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Ivan Niniq: Beogradi sakrifikoi serbet e Kosovës për interesa politike, ndërsa Radoiçiq ende është i lirë
Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00
Trump hedh poshtë propozimin iranian: Nuk do ta heqim bllokadën detare pa marrëveshje bërthamore
Mesi i muajit maj mund të sjell vendimin final për ish-krerët e UÇK-së
Dogana e Kosovës konfiskon mbi 122 mijë euro në veturën që e drejtonte shtetasi rumun