Prishtinë, 26 dhjetor 2025 19:19
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se autoblinda ushtarake “Shota”, e dizajnuar në Shqipëri, do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të një bashkëpunimi rajonal që synon përfshirjen edhe të Kroacisë. Kjo do të realizohet në kuadër të aleancës ushtarake të nënshkruar nga të tri vendet në mars të këtij viti. Palët janë pajtuar në parim për bashkëzhvillimin e automjetit të blinduar, dhe aktualisht janë në fazën e diskutimeve që pritet të finalizohen me një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë, e cila më pas synohet të zgjerohet me Kroacinë. Sipas tij, kjo do të jetë hera e parë në Ballkan që tri vende bashkëprodhojnë një autoblindë ushtarake, e cila do të përdoret për nevojat e ushtrive të tyre dhe për eksport.
Në bisedimet fillestare është dakorduar që një pjesë të prodhohet në Kosovë, një në Shqipëri dhe një në Kroaci.
Maqedonci gjithashtu bëri të ditur se Shqipëria ka marrë së fundi raketa “Javelin”, ndërsa Kosova synon që vitin e ardhshëm të sigurojë një sasi nga kontingjenti i porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka rritur ndjeshëm kapacitetet ushtarake, duke shkuar përtej Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Sipas tij, FSK-ja tashmë ka mbi 23 lloje armatimesh më shumë sesa ishte parashikuar me atë plan, ndërsa blerjet reale kanë nisur pas vitit 2021.
Maqedonci shtoi se Kosova tashmë disponon sisteme anti-dron dhe po shqyrton mundësinë e rritjes së mëtejshme të këtyre kapaciteteve.
Ai tha se gjatë vitit të ardhshëm pritet të nisin prokurimet finale për përmbushjen e plotë të operacionalitetit të ushtrisë, përfshirë sistemet kundërajrore dhe flotën e helikopterëve, duke përfshirë bisedimet me Pentagonin për sigurimin e helikopterëve “Black Hawk”. Partnerë kryesorë të Kosovës në blerjet ushtarake janë SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Kroacia dhe Çekia.
Maqedonci gjithashtu tha se sipas planit, FSK-ja duhet të ketë pesë mijë pjesëtarë aktivë në vitin 2028, dhe aktualisht ka 4.460 pjesëtarë aktivë, duke qenë 90% në përmbushje të këtij plani. Ai përmendi se largimet nga FSK-ja kanë ardhur për shkak të pensionimit dhe sepse shumë të rinj janë tërhequr nga kompanitë private për shkak të njohurive të fituara në Forcën e Sigurisë.

Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Sveçla: Kosova mbetet partner serioz i Europol-it
Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në akademitë ushtarake të Gjermanisë, do t’i bashkohen trupës së oficerëve