Prishtinë, 5 nëntor 2026
Një tryezë shkencore e organizuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka vënë në diskutim një nga narrativat më të përhapura të historiografisë serbe për Kosovën, atë të të ashtuquajturës “Dyndje e Madhe Serbe” të vitit 1690.
Në tryezën me temën “Rrafshi i Kosovës dhe i Dukagjinit (1689-1690): fushata habsburgase dhe perceptimet historike”, historianët kanë prezantuar të dhëna nga burimet osmane dhe perëndimore, duke kundërshtuar pretendimet se rreth 40 mijë serbë ishin larguar nga Kosova dhe se më pas ky territor ishte populluar nga shqiptarë të ardhur nga veriu i Shqipërisë.
Historiani Nehat Krasniqi ka shpjeguar se gjatë kësaj periudhe ushtria osmane ishte tërhequr, duke e lënë territorin e Kosovës të përballej me zhvillimet ushtarake dhe politike të kohës. Në këtë situatë, prijësit lokalë shqiptarë, përfshirë Begollët dhe Hasan Beun e Gjakovës, kishin udhëhequr qëndresën ndaj forcave habsburgase.
Ndërkaq, profesori universitar Gazmend Rizaj është ndalur te mënyra se si historiografia serbe e ka interpretuar këtë periudhë, duke theksuar se pretendimet për largimin masiv të serbëve dhe ardhjen e mëvonshme të shqiptarëve janë mbështetur në shtrembërime historike.
Sipas Rizajt, kjo narrativë është pranuar edhe nga disa studiues të huaj dhe autorë shqiptarë, pa u analizuar mjaftueshëm burimet historike. Ai ka përmendur edhe diplomatin shqiptar Mehmet Konica, i cili në librin e tij të vitit 1918, “The Albanian Question”, kishte përsëritur një pjesë të këtij interpretimi.
Historiani Agron Islami, duke iu referuar dokumentacionit osman, ka theksuar se burimet e kohës flasin për rikthimin e popullsisë së Kosovës që ishte larguar bashkë me ushtrinë osmane, dhe jo për një popullsi të re shqiptare të ardhur nga territoret e Shqipërisë së sotme.
Ai ka përmendur edhe kronikat osmane, sipas të cilave forcat osmane, në vitin 1690, kishin rikthyer kontrollin mbi disa qytete, përfshirë Kaçanikun, Pejën, Prizrenin dhe Prishtinën.
Në tryezë është diskutuar edhe për pasojat e fushatës habsburgase, përfshirë djegien e Shkupit më 26 tetor 1689 nga ushtria e gjeneralit Enea Silvio Piccolomini, si dhe zhvendosjet e dhunën ndaj popullsisë shqiptare.
Historianët kanë theksuar rëndësinë e analizimit kritik të dokumenteve të të gjitha palëve, në mënyrë që interpretimet historike të mos mbështeten në narrativa të njëanshme.
Kumtesat e prezantuara në këtë tryezë pritet të botohen edhe në gjuhën angleze, me qëllim që argumentet dhe burimet historike të bëhen të qasshme edhe për studiuesit ndërkombëtarë.

Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së
Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Kurti: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE, pozita aktuale nuk e pasqyron progresin e bërë