Prishtinë 21 Nëntor 2025 08:45
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian, ku zyrtarisht Kosova në dhjetor të 2022-ës aplikoi zyrtarisht për pranim në Bashkim Evropian gjatë Presidencës çeke.
Eurodeputeti Reuten në një intervistë dhënë për A2 CNN ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, e pa çka tha se BE nuk ka pasë një qasje të pabalancuar.
Eurodeputeti Reuten tha se nuk ka asnjë justifikim që aplikimi i Kosovës të mbetet kaq gjatë në sirtar.
“Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim më në fund të vihet në proces. Nuk e përballoj dot faktin që ka mbetur në sirtar kaq gjatë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin, pavarësisht se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën. Kjo është e vërtetë, por megjithatë mund të ecim përpara me shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim”, shprehet Thijs Reuten.
Reuten u shpreh optimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës tashmë që në komunat veriore pritet të kthehen kryetarët serbë.
“Tani që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës. Sipas meje, ato s’duhej të ishin vendosur fare dhe duhej të ishin hequr prej kohësh. Por tani që shumë shpejt do të kemi kryetarë të rinj komunash që marrin detyrën në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti që Komisioni dhe vendet anëtare t’i heqin sanksionet”, deklaron eurodeputeti.
Në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, eurodeputeti holandez, pjesë e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, shpreson që procesi të marr një drejtim të ri
“Për dialogun, është e qartë se nevojitet një momentum i ri. Nuk mund të vazhdojmë me rutinën e viteve të fundit. Shpresoj që Komisionerja Kos, edhe në këtë drejtim, të ndërmarrë hapa përpara dhe që me ndërmjetësin e ri të dialogut [Peter Sorensen] të ndryshojë procesi dhe të zgjidhet lidhja e tepruar që i është bërë progresit drejt anëtarësimit, sepse kjo jep shumë hapësirë për bllokime si për Serbinë, por sidomos për Kosovën që të ecë përpara drejt statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimit”, tha ai.
Reuten mendon se dialogu nuk duhet të kthehet në pengesë për avancimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, duke i kërkuar ndërmjetësuesit të këtij procesi të jetë i barabartë.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë strikt dhe i barabartë në qasjen ndaj të dy vendeve, gjë që s’ka ndodhur. Ka pasur një qasje të pabalancuar. Megjithatë, ajo që na duhet nga të gjithë, edhe nga pala e Kosovës, është ta mbyllim këtë kapitull dhe të angazhohemi realisht për të bërë hapa përpara. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet të jetë e qartë për atë që kërkon nga ky proces dhe të mos e lidhë kaq ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit”, shprehet Thijs Reuten.
Kosova prej kohësh kërkon që aplikimi i saj të shqyrtohet, t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por këto kërkesa nuk janë marr parasysh.

Presidenca bullgare: Presidentet e Bullgarisë dhe të Kosovës diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve
Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Një muaj paraburgim për 16-vjeçarin për vrasjen në Kobaj të Prizrenit
Elezi: Numërimi i votave me postë pritet të përfundojë në mesjavë, pason numërimi i votave me kusht
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon për vaksinimin e fëmijëve pas rasteve me fruth në Kosovë
Prokuroria kërkon që lënda ndaj Çedomir Aksiqit të bashkohet me atë ku akuzohet bashkë me 20 të tjerë për masakrën e Reçakut