Prishtinë, 20 nëntor 2025 08:30
Ish-pjesëtarë të formacioneve paraushtarake, anëtarë të grupeve ultradjathtiste, persona me dosje kriminale dhe madje edhe vrasës të dënuar, javët dhe muajt e fundit janë të pranishëm në mesin e mbështetësve të pushtetit në Serbi.
Radio Evropa e Lirë (REL) disa herë ka shkruar për angazhimin e tyre në ruajtjen e zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) në disa qytete të Serbisë, si edhe në vendin qendror të mbledhjes së mbështetësve të pushtetit, në të ashtuquajturin “Qaqilend”, një kamp me çadra i ngritur mes Presidencës dhe Kuvendit të Serbisë.
Predrag Petroviq, drejtor i hulumtimeve në Qendrën e Beogradit për Politikë të Sigurisë, e përshkruan “Qaqilend” si një kamp paraushtarak ose parapolicor, ku gjenden njerëz të gatshëm për përdorimin e dhunës fizike.
“Qytetarët janë të sigurt vetëm nëse e anashkalojnë këtë kamp me një hark të gjerë”, thotë Petroviq për REL.
Në një nga paraqitjet e tij të fundit, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e cilësoi këtë kamp si “simbol të ekzistencës së Serbisë, simbol të lirisë dhe të rezistencës”.
“Në zemër të Serbisë ndodhet një vend i vogël nga i cili ka nisur rezistenca — rezistenca ndaj okupimit, rezistenca ndaj shkatërrimit të Serbisë. Dhe ky simbol i rezistencës ekziston edhe sot, simbol i forcës së Serbisë që nuk mund ta rrëzojnë”, tha Vuçiq për kampin para Kuvendit, në fund të tetorit të këtij viti.
Sipas Petroviqit, presidenti në këtë deklaratë “ka pranuar se forcat jashtë institucioneve kanë qenë të rëndësishme për ‘mbrojtjen e Serbisë’, domethënë për shpëtimin e pushtetit të tij”.
“Ai e pa që qytetarët protestues mund të mobilizohen shumë shpejt. Prandaj e mban këtë kamp”, vlerëson Petroviq.
Duke përdorur mjete të hapura për njohjen e fytyrës, gazetarët e REL në muajt e fundit kanë identifikuar një numër personash me dosje kriminale, jo vetëm në “Qaqilend”.
Për pyetjet e REL lidhur me individët me dosje problematike në radhët e mbështetësve të pushtetit, PSS (SNS) nuk ka dhënë përgjigje. As nga Ministria e Brendshme e Serbisë nuk kanë ardhur përgjigje për pyetjen nëse policia ka informacion që në kampin para institucioneve më të rëndësishme shtetërore banojnë persona të dënuar më parë për vepra të rënda penale, si edhe nëse siguria e qytetarëve është e garantuar në afërsinë e tyre.
Të dënuar për vrasje në radhët e mbështetësve të pushtetit
Vladan Sretenoviq, i cili deri së fundmi ishte në arrati dhe në kërkim nga Serbia pas një dënimi për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, është një nga rojet në hyrje të kampit, siç tregojnë pamjet e REL.
Sretenoviq është dënuar më parë për vepra shumë të rënda. Ai ka kaluar pesëmbëdhjetë vjet në burg për një vrasje të kryer në vitin 1997. Në një intervistë për TV Happy në vitin 2021, ai ka rrëfyer se ka vrarë një njeri për një borxh financiar dhe sharje.
Një tjetër vepër të rëndë e kreu në vitin 2016, kur rrahu rëndë një person në Arilje në perëndim të Serbisë. Për këtë vepër, në vitin 2023 u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Pas dënimit, iku në Kroaci, ku u arrestua dhe u ekstradua në Serbi në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave të gjykatës në Zagreb.
Nuk është e qartë kur ka dalë sërish nga burgu dhe nëse i është ulur dënimi.
REL gjatë gushtit identifikoi në “Cacilen” edhe Gjorgje Preliqin, ish-udhëheqës i një grupi tifozësh të klubit Partizan. Preliq është dënuar për vrasjen e tifozit francez Brice Taton në vitin 2009 në Beograd. Ai ishte në arrati katër vjet dhe u dënua fillimisht me 35 vite burg në mungesë. Pas kapjes në Spanjë dhe rigjykimit, u dënua me 10 vite burg. U lirua me kusht në vitin 2021.
Në protestat e gushtit, selinë e SNS në Novi Sad e siguronte edhe Jovan Coja Kecman, ish-udhëheqës i grupit “Korida”. Ai është dënuar në vitin 2018 me 7 vite burg për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Në Vërbac, REL identifikoi edhe Stojan Knezheviqin, me disa dënime – për armëmbajtje, keqpërdorim detyre dhe vepra të tjera më të lehta. Ai sot është drejtues i Klubut të Boksit Sombor, i financuar nga komuna.
Paramilitarë në radhët e mbështetësve të pushtetit?
Në korrik 2025, REL identifikoi në kampin e mbështetësve të pushtetit edhe Vladimir Vuçetiqin, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në vitin 2023. Ai, bashkë me të tjerë, akuzohet për terrorizëm dhe vepra kundër rendit kushtetues.
Pjesa më e madhe e grupit është në arrati dhe ndaj tyre ka fletarrest të Interpolit përmes UNMIK-ut.
Që në mars 2025, kur u vendosën çadrat e para, në “bllokadë” iu bashkuan edhe ish-pjesëtarë të “Beretave të Kuqe”, njësi e sigurisë së Serbisë e lidhur me krime lufte dhe vrasjen e kundërshtarëve politikë gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit. Njësia u shpërbë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq në vitin 2003.
Ish-pjesëtarët i udhëhiqnin Goran Radosavleviq – Guri dhe Zhivorad Zhika Ivanoviq. Radosavlevqi i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë. Ivanoviq ka qenë pjesëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale.
Në “Qaqilend” ka qenë edhe Dragoslav Bokan, themelues i formacionit paraushtarak “Shqiponjat e Bardha”, aktiv në luftërat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Bokan është dy herë i ndjekur penalisht për armëmbajtje dhe grabitje. Sot është kryetar i Bordit të Teatrit Kombëtar në Beograd.
Në nëntor, REL identifikoi edhe Zlatko Novkoviqin, shtetas amerikan me prejardhje serbe dhe pasaportë ruse, që u filmua duke kërcënuar protestues kundër qeverisë me therje. Ai ka qenë pjesë e formacioneve çetnike në rrethinat e Sarajevës në vitet ’90 dhe në rrjetet sociale ruse paraqitet si rezervist i ushtrisë ruse në Ukrainë.
Krah për krah me përfaqësuesit e pushtetit
Në “Qaqilend”, bashkë me persona me biografi problematike, qëndrojnë herë pas here funksionarë lokalë të SNS-së dhe zyrtarë të lartë shtetërorë – ministra, kryeministrja dhe presidenti.
Funksionari i SNS dhe ish-hendbollisti Vladimir Mandiq është filmuar disa herë pranë Kuvendit të Serbisë, dhe në një video të televizionit Insajder shihet duke goditur me shkelm një nga studentët roje në tubimin e 1 majit.
Mediet lokale kanë raportuar se në nëntor Mandiq sulmoi ekipin televiziv të KTV-së së Zrenjaninit dhe gazetarin Nemanja Sharoviq, ish-deputet i Partisë Radikale Serbe.
Mandiq ishte gjykuar për tentativë vrasjeje të truprojës së babait të tij, Momçilo Mandiq, ish-ministër i drejtësisë në Republikën Srpska. Sipas KRIK-ut, pas 13 viteve gjykim, ai u lirua për mungesë provash.
Protestat në Serbi po zgjasin mbi një vit. Filluan pas shembjes së një tende betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën gjashtëmbëdhjetë persona. Demonstruesit fajësojnë korrupsionin dhe neglizhencën, dhe kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme – kërkesë që qeveria e refuzon. Protestat janë shoqëruar me dhunë, dëmtim të objekteve të partisë në pushtet, dhjetëra të plagosur dhe arrestime të shumta.

Qeveria ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë
36 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Veselit hynë në fazën përfundimtare
Vdekje e dyshimtë në Podujevë, viktima gjendet me plagë në fytyrë dhe disa armë përreth