Prishtinë, 19 nëntor 2025 22:17
Tre vjet pasi serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e vendit, vazhdojnë akuzat kundër Listës Serbe dhe Beogradit zyrtar se populli është “mashtruar” dhe se ata po “hakmerren” dhe “shantazhojnë” këdo që kundërshton politikat e tyre.
Këto ankesa filluan të dalin në publik disa muaj pasi disa qindra punonjës të policisë, drejtësisë dhe administratës lokale në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, në fillim të nëntorit të vitit 2022, për shkak të insistimit të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Largimin nga institucionet e Kosovës e inicioi Lista Serbe, ndërsa Beogradi zyrtar – që e mbështet partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e përkrahu këtë vendim.
Punonjësve që dhanë dorëheqje, u ofruan kontrata të përkohshme me pagë nga buxheti i Serbisë. Megjithatë, shumë prej tyre mbetën pa këto të ardhura dhe pa mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.
Një prej tyre është edhe Sllobodan Rashkoviq nga fshati Dren i Zubin Potokut në veri të Kosovës, i cili thotë se tash e dy muaj nuk e ka marrë pagën nga buxheti i Serbisë prej 66.000 dinarësh, apo rreth 550 euro, si kompensim për dorëheqjen që ka dhënë tre vjet më parë nga Policia e Kosovës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ekzistenca e tij është e kërcënuar, pasi këto të ardhura i kanë shërbyer për të mbajtur familjen. Gruaja e tij është e papunë, ndërsa katër fëmijët janë të mitur.
Rashkoviq thotë se para tre vjetësh ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, pas 20 vjetësh përvojë pune, nga bindja se duhej të shprehte solidaritet me bashkëkombësit e tij. Nga perspektiva e sotme, ai mendon se ka marrë një vendim të gabuar. Po të ishte e mundur, thotë se do të kthehej menjëherë në Policinë e Kosovës.
Në shtator të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ligjet nuk lejojnë që policët që kanë dhënë dorëheqje, të rikthehen në punë. Ai ka thënë se organet kompetente kanë pritur 30 ditë që zyrtarët policorë t’i rishqyrtojnë vendimet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur.
Bashkëshortja e Rashkoviqit, Bojana, thotë se është angazhuar politikisht kundër Listës Serbe, sepse, sipas saj, pozita e komunitetit serb në Kosovë është përkeqësuar dhe se punë gjejnë vetëm “personat e përshtatshëm”. “Ata mendojnë se vetëm ai që mendon si ata [Lista Serbe] mund të ketë punë e gjithçka tjetër. Kush mendon ndryshe, nuk ka asnjë të drejtë. Për çdo gjë vendosin ata”, thotë Bojana.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Lista Serbe për akuzat e familjes Rashkoviq, por nuk mori asnjë përgjigje.
As Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes se përse u hiqen kompensimet financiare nga buxheti i Serbisë personave që kanë lënë institucionet e Kosovës.
Përndryshe, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, Ivan Petroviq dhe Ivan Ristiq nga Ranillugu – komunë me shumicë serbe pranë Gjilanit – hynë në grevë urie, pasi morën vendimin për shkarkim nga organi i përkohshëm komunal i Kamenicës, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Petroviq ishte kandidat për kryetar dhe asamblist nga Lëvizja Popullore Serbe në Komunën e Ranillugut, ndërsa Ristiq ishte kandidat për asamblist nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Ata i thanë Radios Evropa e Lirë më 17 nëntor se kanë paditur Komunën e Kamenicës – që funksionon sipas sistemit serb – në Gjykatën Administrative në Beograd.
Edhe Millosh Kovaçeviq nga fshati Banjë në Komunën e Skenderajt i tha Radios Evropa e Lirë në shkurt të këtij viti se është larguar nga organi i përkohshëm komunal që funksionon brenda sistemit serb, vetëm se në zgjedhjet parlamentare është angazhuar politikisht kundër Listës Serbe.
Më 16 nëntor, Kovaçeviq tha se është ende pa punë dhe se ndodhet buzë mbijetesës.
Raste të ngjashme janë evidentuar edhe gjatë zgjedhjeve të mëhershme në Kosovë, kur pjesëtarë të komunitetit serb që nuk mbështetnin Listën Serbe, merrnin vendime për shkarkim nga puna.
Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar, gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë, ka hapur shpesh konkurse për vende të reja pune në institucionet e tij.
Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e fundit lokale më 12 tetor, kur Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur konkurs për 400 vende të reja pune në institucionet e saj në Kosovë – gjë të cilën autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si “ndërhyrje në procesin zgjedhor”.

Qeveria ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë
36 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Veselit hynë në fazën përfundimtare
Vdekje e dyshimtë në Podujevë, viktima gjendet me plagë në fytyrë dhe disa armë përreth