Mitrovicë, 8 nëntor 2025
Pas përfundimit të balotazhit më 9 nëntor dhe pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor, komunat e Kosovës do të përjetojnë tranzicionin e kalimit të pushtetit nga kryetarët aktualë te ata që janë zgjedhur në zgjedhjet lokale. Në këtë mënyrë, edhe kuvendet komunale do të kenë përbërje të re me anëtarë të sapozgjedhur.
Pas zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, një nga pyetjet kryesore u bë se cilat vendime të autoriteteve mund të anulohen pas kthimit të serbëve në institucione. Ndër më të diskutueshmet janë ato që lidhen me ruajtjen e identitetit – nga emrat e rrugëve dhe simbolet lokale, deri te vendimet për transferimin e tokës komunale te institucionet qendrore në Prishtinë.
Megjithatë, ndërsa pritet që procesi i tranzicionit në komunat e tjera të kalojë qetësisht, në Komunën e Mitrovicës së Veriut atmosfera është ndryshe.
Përfaqësuesit e qytetarëve të zgjedhur në vitin 2021, të cilët nuk i përkasin Listës Serbe, shprehin shqetësimin e tyre lidhur me kthimin e kësaj partie në pushtet.
Duke marrë për bazë orientimin e saj politik, lidhjet e vazhdueshme me Serbinë dhe përpjekjet e saj të mëhershme për të minuar zhvillimin e përgjithshëm në komunat veriore të Kosovës dhe sundimin e ligjit, disa zyrtarë të Komunës së Mitrovicës së Veriut vlerësojnë se rikthimi i Listës Serbe në udhëheqje mund të sjellë rrezikun e shfuqizimit të vendimeve të miratuara nga qeverisja aktuale.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha se Lista Serbe do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për t’i shfuqizuar të gjitha vendimet që pushteti aktual i ka miratuar gjatë mandatit të tij.
“Sigurisht që Listës Serbe asnjë vendim nuk i pëlqen, prandaj do të bëjë çmos për t’i anuluar vendimet dhe për të shfuqizuar rregulloret”, tha për Veritasinfo kryesuesi Ugljanin.
Ai shtoi se, megjithatë, këto përpjekje nuk do të kenë fuqi juridike.
“Të gjitha dokumentet zyrtare, vendimet, rregulloret, aktet dhe të tjera dërgohen në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për verifikim të vlefshmërisë. Nëse ndonjë akt nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi, kjo ministri e kthen për rishqyrtim. Të gjitha vendimet e marra që nga viti 2021 e deri më sot janë në interes të qytetarëve dhe të komunës në përgjithësi. Sigurisht që Lista Serbe do të përpiqet t’i shfuqizojë, por nuk do të ketë sukses. Ajo do të bëjë çmos,” u shpreh Ugljanin, duke shtuar se në komunat veriore nuk ka dokumente me ndjeshmëri të veçantë, pasi të gjitha janë publike dhe të arkivuara.
Edhe nënkryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, tha se të gjitha vendimet dhe dokumentet e asamblesë komunale janë publike dhe të qasshme.
“Puna e Asamblesë është publike. Komuna dhe asambletë komunale janë transparente dhe nuk ka asnjë dokument ‘të ndjeshëm’. Prandaj nuk ekziston mundësia që ato të keqpërdoren në asnjë rrethanë apo nga asnjë organizatë apo individ,” u shpreh Sadiku, duke shtuar: “Nëse ka ndonjë vendim që nuk është në harmoni me ligjet e Kosovës dhe ka kaluar ‘filtrin’ e Ministrisë, atëherë gjykatat janë ato që mbrojnë ligjshmërinë.”
Sipas tij, edhe Lista Serbe, e cila ka garuar në zgjedhjet lokale bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, do të duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Kujtojmë se Lista serbe kishte deklaruar se kryetarët aktual të komunave të veriore, pas përfundimit të mandatit, mund të mos i “dorëzojnë dokumentet e ndjeshme”.

Qeveria ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Vdekje e dyshimtë në Podujevë, viktima gjendet me plagë në fytyrë dhe disa armë përreth
Gramos Hashani emërohet Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut
Kongresmenët Self, Torres e Lawler i paraqesin rezolutë Dhomës së Përfaqësuesve për anëtarësimin e Kosovës në NATO