Prishtinë, 21 tetor 2025
Prodhuesi shtetëror turk i sektorit të mbrojtjes, MKE, ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një fabrike prodhimi municionesh “çelës në dorë” në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Ankarasë dhe Prishtinës.
Sipas raportimeve të DailySabah, fabrika do të ketë një kapacitet vjetor prodhimi prej 20 milionë fishekësh dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2026. MKE do të sigurojë linjat e prodhimit për fishekë dhe plumba, pajisjet e ngarkimit dhe montimit, si dhe laboratorët e testimit. Përveç ndërtimit të objekteve, kompania turke do të ofrojë trajnime për prodhim, mirëmbajtje dhe riparim, si dhe asistencë teknike për fuqinë punëtore lokale, shkruan Telegrafi.
Nisma vjen pas dërgesave të fundit të dronëve kamikazë në Kosovë nga kompania turke Baykar, përfshirë modelin Skydagger, si dhe pas blerjes së dronëve Bayraktar TB2 në korrik 2023. Dorëzimi i Skydagger-it më 8 tetor shkaktoi reagime të ashpra nga Serbia, duke nxitur tensione diplomatike midis Beogradit dhe Ankarasë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar më herët planet për ngritjen e fabrikës së parë të municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve, pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve vendore për t’u përballur me kërcënime të mundshme në rajon.
Këto zhvillime ndodhin në një periudhë kur në Kosovë vijon të jetë e pranishme forca paqeruajtëse e NATO-s (KFOR) me mbi 4,000 trupa, kryesisht në pjesën veriore të vendit, ku tensionet etnike janë rritur në dy vitet e fundit.
MKE, e cila po zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme në tregun ndërkombëtar, ka përfunduar së fundmi projekte të ngjashme në Jordani dhe Mongoli, ndërsa është në bisedime me tetë vende të tjera për ngritjen e fabrikave të municioneve dhe pajisjeve të montimit.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit