Prishtinë, 15 tetor 2025
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, në mjediset serbe vërehet një valë dorëheqjesh dhe tërheqjesh nga jeta politike. Disa funksionarë, asamblistë dhe aktivistë nga radhët e komunitetit serb kanë njoftuar se po tërhiqen nga politika, duke përmendur si arsye zhgënjimin me procesin zgjedhor, humbjen e besimit të qytetarëve dhe, siç thonë ata, “lodhjen nga presionet shumëvjeçare”.
Sipas informatave nga terreni, dorëheqje ka pasur edhe në komunat në veri të Kosovës, ku situata politike është veçanërisht e ndjeshme. Disa politikanë pohojnë se rezultatet e zgjedhjeve treguan një krizë të thellë besimi midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve, ndërsa të tjerë theksojnë se gjithnjë e më shumë njerëz janë të zhgënjyer me mënyrën se si po udhëhiqet politika në Kosovë.
Njëri nga ish-politikanët nga Mitrovica e Veriut, Stefan Veljkoviq, i cili ka dhënë dorëheqje, ka deklaruar se “ky është momenti për të rishikuar tërësisht qasjen, sepse populli nuk i beson më askujt që për vite të tëra premton, por asgjë nuk ndryshon në thelb”.
Përveç Stefan Veljkoviqit, dorëheqje ka dhënë edhe Branimir Stojanoviq, i cili shtoi se i vjen keq, por nuk sheh më mundësi për t’i ndihmuar popullit të vet.
Qytetarët mendojnë se ky trend mund të çojë në ndryshime më të thella politike brenda komunitetit serb, sidomos nëse tërheqjet vazhdojnë edhe në javët e ardhshme. Shumëkush vlerëson se skena politike serbe në Kosovë ndodhet në një pikë kthese, ku lëvizje të reja, më të pavarura dhe qytetare, mund të përpiqen të mbushin boshllëkun që lënë aktorët e deritashëm politikë.
Qytetarët me të cilët kemi biseduar thonë se nuk i befasojnë dorëheqjet, pasi “prej vitesh asgjë nuk ndryshon”, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se është e rrezikshme që komuniteti serb të mbetet pa përfaqësim politik në një moment kur shumë probleme — nga siguria, ekonomia e deri tek jeta e përditshme — mbeten ende të pazgjidhura.
Për momentin nuk është e qartë nëse do të formohen opsione të reja politike apo do të tentohet konsolidimi i atyre ekzistuese, por një gjë është e sigurt — zgjedhjet kanë hapur një kapitull të ri në jetën politike të serbëve në Kosovë, të karakterizuar nga reflektimi, zhgënjimi dhe kërkimi i rrugëve të reja.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë