Prishtinë, 11 shtator 2025
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka theksuar seriozitetin e situatës së dezinformimit në rajonin tonë dhe rrezikun që ai paraqet për stabilitetin social dhe politik.
Franca po ndërmerr hapa ndaj luftimit të dezinformatës edhe në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, ku sipas Guerot ka shumë aktorë që do të donin të krijonin përsëri kaos.
Në hapjen e aktivitetit “Balkan Neës Truck”, një iniciativë ku qytetarët mund të bashkëbisedojnë me anëtarë të Hibrid. Info për t’u informuar rreth dezinformatave dhe inteligjencës artificiale, se si t’i dallojnë ato, Guerot tha se kjo luftë po zhvillohet kryesisht nga Rusia.
Guerot, shtoi se qeveria franceze ka vendosur të reagojë ndaj këtyre lajmeve të rreme që po krijohen nga Rusia, duke i mbështetur mediat dhe të sensibilizojë opinionin publik.
“Situata është shumë serioze, ne jemi në mes të një lufte informative ku asnjë gënjeshtër nuk është shumë e madhe, ku gjithçka lejohet. Dhe kjo luftë zhvillohet kryesisht nga Rusia, por jo vetëm nga Rusia, ata po i shënjestrojnë civilët, ashtu si dronët rusë po i shënjestrojnë civilët në Ukrainë. Dhe ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të shesin gënjeshtrat e tyre… Kështu që qeveria franceze ka vendosur të reagojë ndaj kësaj. Një nga reagimet është të mbështesë mediat, mediat e lira dhe të pavarura, si dhe të sensibilizojë opinionin publik për faktin se ata janë viktima të një fushate dezinformimi… Ne gjithashtu kemi një sërë programesh për të mbështetur mediat e lira”, tha Guerot.
Ndërsa dje në Francë, pranë disa xhamive u gjetën koka derri të vendosura nga aktorë të huaj, ambasadori francez Olivier Guerot deklaroi se vendi i tij po ndikohet nga fushata dezinformuese të ardhura nga vende si Rusia, pasi që Franca po mbështet Ukrainën.
“Ne duam të jemi aktivë jo vetëm në Francë, dhe në mbrojtje të shoqërisë sonë, por duam të jemi aktivë këtu në Ballkan, këtu në Kosovë, sepse ky rajon është në paqe, por i brishtë. Dhe ka shumë aktorë, aktorë keqdashës, që do të donin të krijonin përsëri kaos këtu. Franca shënjestërohet nga Rusia për shkak përfshirjes sonë konkrete në përkrahjen e Ukrainës. Sasia e gënjeshtrave dhe kampanjave është shumë shqetësuese. Dje kishte koka të derrëve jashtë xhamive në Francë, dhe policia gjurmoi se autorët e krimit ishin agjentë të huaj. Pra, qëllimi është të krijohet ndarje dhe kaos”, u shpreh ai.
