Prishtinë, 29 Gusht 2025
Në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq edhe Zharko Zariq, në seancën e sotme, 28.08.2025, ka dëshmuar dëshmitari Nexhmedin Pepaj.
Sipas aktakuzës, Momir Pantiq, në kohën kur janë kryer krimet ka qenë kryeshef i Stacionit Policor në Istog, kurse Zharko Zariq ka qenë polic. Ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.
“Në cilin vit më ke parë me uniformë, dhe kur?” – e pyeti dëshmitarin i akuzuari Momir Pantiq.
“Nëse është fjala për ditën kritike ky s’ka qenë me uniformë hiç, ky ka qenë me rroba civile. Kam deklaru edhe shumë herë po deklaroj edhe tash: pas rrahjes së vëllait në vitin 1990 familja ime është bastisur edhe shumë herë nga personat e Istogut, edhe më ka thirrë në bisedë informative shumë e shumë herë, edhe ka pasë raste shpeshherë që e kam pa me uniformë. Thirrshin në biseda informative, kërkonin armë, hynin për bastisje me dhjetëra herë brenda 10 viteve… Të dy e dinë këta” – tha Pepaj.
Dëshmitari Pepaj tha se ka ardhur në Gjykatë për të dhënë dëshminë e tij e për të kërkuar drejtësi për vëllanë e tij.
“Unë kam ardhë me lyp drejtësi për vëllanë që ma ka rrehë. As sot s’e di për çka, çka i bani që e çoi në atë gjendje buzë vdekjes. Ai vuajti për shëndet për 10 vite, pa asnjë shkak” – tha Pepaj.
“Këta e ka ditur edhe Momir Pantiqi” – tha Pepaj tutje.
Dëshmitari rrëfeu se si i kishin nxjerrë prej shtëpive, se ua kishin thyer dhëmbët, i kishin rrahur, po ashtu i kishin tërhequr zvarrë dhe se prezent kishte qenë edhe Pantiqi.
Ndërsa i akuzuari Momir Pantiq iu drejtua dëshmitarit me fjalë: “Le të mbetet në ndërgjegjen tënde se unë nuk kam marr pjesë në asnjë bastisje”.
Mirëpo Pepaj tha se ajo çka po dëshmon në Gjykatë është e vërtetë dhe jo gënjeshtër.
Pepaj tregoi se si i kishin nxjerrë nga shtëpitë dhe se kur kishin dalë në rrugë kishte parë policë grupe-grupe. “Momir Pantiq i drejtojke nëpër dyer me dorë” – tha Pepaj.
“I nxjerrshin kushërinjtë e mi zvarrë qysh më kanë nxjerrë edhe mua. Pas meje e kanë nxjerrë edhe prindin tim 79-vjeçar. Aty na tubuan të gjithëve, kurrë nuk i harroj. Ato fjalë që po thotë “s’kam qenë unë” tash do ia dëshmoj çka ka thanë kur disa pleq lypnin ndihmë prej tij, që e njihnin e i thoshin: “Të lutemi lëshoni djemtë, mos na i merr!”. Ky në gjuhën shqipe, sepse e njeh gjuhën shqipe fort mirë, u thoshte: “Asnjë fjalë nuk du me jua ni” – tha tutje Pepaj.
Këtë fjali Pepaj tha se i akuzuari Pantiq e kishte përsëritur disa herë.
Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Nexhmedin Pepaj nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Zharko Zariq, avokati Dejan Vasiq dhe nga vetë i akuzuari Zharko Zariq.
“Kur keni filluar pas lufte ta shihni Zharko Zariqin në fshatin tuaj?” – e pyeti avokati Dejan Vasiq.
“Para 10 vite mos gabofsha. Jemi kanë me mijëra njerëz, aty e kam pa për herë të parë” – tha Pepaj.
“Zharko a u kthy atëherë me jetu aty?” – ishte pyetja e radhës e avokatit.
“U kthy me jetu me disa serbë por jo në pronën e vet, në një pronë të fqinjit të tij” – tha Pepaj.
Dëshmitari po ashtu tha se Zharko Zariq e flet shumë mirë gjuhën shqipe.
Dëshmitari Nexhmedin Pepaj dha detaje lidhur me ditën kritike.
Shumë mirë e flet, jemi rritë në oborret e njëri – tjetrit. Si e di unë gjuhen serbe edhe ky gjuhën shqipe” – tha Pepaj.
Seanca e sotme u ndërpre pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Pepaj.
Nga Prokuroria Speciale prezent ishte prokurorja Ajshe Ferati.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Valon Kurtaj (kryetar), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (anëtarë).

Lirohet nga burgu në Beograd ish-pjesëtari i UÇK-së, Mit’hat Lozhani
Dogana njofton për nisjen e përdorimit të platformës DAT për automjete
Kurti me konferencë të jashtëzakonshme
Rizvanolli: KEK dhe KESCO arrijnë marrëveshje, nuk pritet rritje e tarifave
Muja takon qumështarët, thotë se secila pako e qumështit që futet në Kosovë do t’u nënshtrohet masave
Kurti: Roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit
Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00