Prishtinë, 18 gusht
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe veprimeve të ndërmarra nga KEDS për ndërprerjen masive të furnizimit me energji elektrike ndaj bizneseve. Sipas G7, kjo situatë po dëmton rëndë sektorin privat dhe po krijon pasiguri të thellë për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në reagimin zyrtar, G7 thekson se ndërprerjet e menjëhershme, shpeshherë të shoqëruara edhe nga prania e forcave policore, kanë ndikuar disproporcionalisht tek bizneset në pronësi të grave.
“Veçanërisht të prekura janë bizneset në pronësi të grave, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë vendore. Ato po përballen me humbje të të ardhurave, dëmtim të zinxhirit të prodhimit e shërbimeve, rrezikim të vendeve të punës – shumica prej tyre të mbajtura nga gra – si dhe me mundësi të mbylljes së aktivitetit ekonomik”, thuhet në reagim.
Probleme në zbatimin e procesit
Sipas G7, anëtarët e saj kanë raportuar raste ku edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me shkyçje, si dhe situata të tjera kur subjekte që nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të kaluar në tregun e lirë janë përfshirë në këtë proces.
“Kjo dëshmon se tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë është zbatuar në mënyrë të papërgatitur dhe pa një analizë të plotë të implikimeve për ekonominë”, thekson Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës.
Tri kërkesat e G7
Në fund të reagimit, G7 paraqet tri kërkesa konkrete:
1. Pezullim i menjëhershëm i ndërprerjeve nga ana e ZRrE dhe KEDS, duke garantuar një proces të drejtë, transparent dhe ligjërisht të qartë.
2. Hapje të dialogut gjithëpërfshirës me odat ekonomike dhe organizatat e biznesit për të hartuar një plan tranzicioni të arsyeshëm drejt tregut të lirë.
3. Krijimin e mekanizmave mbrojtës për bizneset e vogla dhe të mesme, me fokus të veçantë tek ndërmarrjet në pronësi të grave, për të shmangur dëme të pariparueshme ekonomike.
Paralajmërimi për pasoja shoqërore
G7 rithekson se gratë sipërmarrëse luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe se vendime të tilla, të marra pa konsultim dhe pa tranzicion të mjaftueshëm, rrezikojnë jo vetëm ekzistencën e bizneseve të tyre, por edhe stabilitetin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza