16 gusht, 2025
Kosova ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare, por Serbia vazhdon të mos marrë asnjë veprim për ndjekjen dhe dënimin e autorëve.
Sipas të dhënave të Prokurorisë Speciale, deri më tani janë ngritur rreth 40 aktakuza ndaj 156 personave për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Nga viti 2021, janë shpallur fajtorë 13 persona në kuadër të 12 aktgjykimeve, ndërsa tre të tjerë janë liruar. Aktualisht, mbi 20 raste ndodhen në proces gjyqësor.
Një pjesë e këtyre aktakuzave janë ngritur në mungesë, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që lejojnë gjykimin pa praninë e të akuzuarit. Vetëm më 14 gusht 2025 u ngrit një aktakuzë e tillë kundër 21 ish-zyrtarëve të ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve nga Kosova, gjatë fushatës së spastrimit etnik.
Ekspertët e drejtësisë e konsiderojnë këtë si një nga aktakuzat më të mëdha të këtij lloji, që përfshin zhvendosje të dhunshme, plaçkitje pronash dhe fushatë sistematike dëbimi masiv.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, pas pranimit të kompetencave nga EULEX në vitin 2018, Kosova ka rritur ritmin e punës – nga 2-3 aktakuza në vit, në mbi 10 aktakuza në vit, shumë prej tyre në mungesë. Vetëm në tetë muajt e këtij viti janë ngritur shtatë aktakuza të tilla.
Megjithatë, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thekson se vonesat e gjata në hetim e bëjnë të vështirë sigurimin e provave dhe dëshmitarëve, ndërsa drejtësia nuk përmbushet vetëm me ngritjen e aktakuzës, por me përfundimin e saj me dënime efektive.
Institucionet e Kosovës dhe ekspertët kërkojnë që në kuadër të dialogut të bëhet presion ndaj Serbisë, e cila akuzohet se po i amniston shtetasit e saj duke mos kryer hetime dhe duke mos ngritur aktakuza për krimet e luftës. Ata paralajmërojnë se me kalimin e kohës vdesin si autorët e krimeve, ashtu edhe dëshmitarët okularë, duke e bërë të pamundur drejtësinë për viktimat.
Deri tani, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur tri aktgjykime në mungesë ndaj katër të pandehurve, me nga 15 vjet burg secili.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999, mbi 13 mijë shqiptarë u vranë, rreth 20 mijë gra e burra u dhunuan dhe mbi 1.600 persona ende figurojnë të zhdukur.

Instituti i Mjekësisë Ligjore: Mbetjet mortore në Zubin-Potok janë të njerëzve, puna do të vazhdojë
Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive, FSK pjesë e aksioneve për ambient të pastër
Njësitet e Policisë, EULEX-it në lokacionin e dyshuar për varrezë masive në Kalludër të Zubin Potokut
Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte
Gjenerali amerikan Wikoff në Qeveri për takim me Kurtin, diskutohet situata e sigurisë dhe bashkëpunimi i Kosovës me NATO-n
Një i vdekur dhe një i lënduar nga shembja e vinçit në Prishtinë
Konstituimi i Kuvendit, Haxhiu fton në takim kryetarët e partive