16 gusht, 2025
Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) ka nisur sot shkëputjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti i energjisë, pasi ka përfunduar afati ligjor për lidhjen e kontratave me furnizues të licencuar.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se deri tani janë shkëputur 600 njehsorë nga gjithsej 1.400 që pritet të përfshihen në këtë proces. Ky institucion u ka bërë thirrje bizneseve që edhe sot të lidhin kontrata me kompani të licencuara, duke theksuar se ato janë në funksion.
Sipas KEDS-it, një pjesë e shkëputjeve po kryhen në distancë, ndërsa pjesa tjetër fizikisht në terren, ku ekipet janë mobilizuar në gjithë Kosovën.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025. Me këtë vendim, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Në periudhën kalimtare nga 1 qershor deri më 31 korrik, bizneset janë furnizuar përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces licencimi. Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese kanë nënshkruar kontrata me KESCO-n, ndërkohë që dhjetëra kërkesa të tjera janë ende në shqyrtim.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kanë reaguar me shqetësim ndaj vendimit, duke paralajmëruar se do të ndjekin mjetet ligjore për ta kundërshtuar.
Liberalizimi i tregut të energjisë, i paraparë në Ligjin për energjinë elektrike të vitit 2016, ishte shtyrë disa herë, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian ky proces ka nisur në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Në Ballkanin Perëndimor, ai vazhdon të jetë në zhvillim.

Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza