14 gusht, 2025
Aleanca ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë po hyn në fazën e konkretizimit, me planin e zbatimit që pritet të përfundojë në shtator. Sipas kësaj marrëveshjeje, tre shtetet synojnë jo vetëm të rrisin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta, por edhe të realizojnë blerje të përbashkëta të armatimit – një model që, sipas ekspertëve të sigurisë, ul kostot, përshpejton furnizimet dhe standardizon kapacitetet ushtarake sipas praktikave të NATO-s.
Plani, i firmosur më herët nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve, përfshin blerjen e armatimit me një porosi të vetme. Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thekson se ky format e bën më të lehtë sigurimin e pajisjeve me çmime më të favorshme, sidomos kur bëhet fjalë për armatim amerikan, që mbetet opsioni kryesor.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit punues për detajimin e planit të zbatimit, ndërsa dokumenti përfundimtar do t’u paraqitet për miratim ministrive në shtator. Sipas tij, blerja e përbashkët nga SHBA-ja, në vend të tre porosive të ndara, mundëson çmim më të ulët dhe afate më të shpejta të dorëzimit.
Deklarata për bashkëpunim ushtarak u nënshkrua më 18 mars në Tiranë dhe parashikon rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave përmes trajnimeve e ushtrimeve të përbashkëta, luftën kundër kërcënimeve hibride dhe koordinimin e politikave drejt integrimeve euroatlantike.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi, e vlerëson këtë marrëveshje si një përgjigje të sinkronizuar ndaj ndryshimeve në mjedisin gjeostrategjik evropian pas agresionit rus në Ukrainë dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake të Serbisë. Sipas tij, edhe pse nuk zëvendëson Nenin 5 të Kartës së Atlantikut të Veriut, ajo përputhet me Nenin 4, duke siguruar konsultime të menjëhershme mes aleatëve në rast kërcënimi.
Si Gashi, ashtu edhe Ibishi, theksojnë se aleanca ka karakter mbrojtës dhe se tri shtetet nuk kanë pretendime territoriale. Ata kujtojnë se Serbia ka iniciuar marrëveshje të ngjashme në të kaluarën, përfshirë atë me Hungarinë në vitin 2023.
Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova synon t’i bashkohet Aleancës. Deklarata e nënshkruar parashikon edhe mundësinë që vende të tjera t’i bashkohen, dhe është konfirmuar se Bullgaria ka marrë ftesë.

Shpallen 65 përfituesit e LOT 2 në kuadër të skemës së granteve për zhvillim rural
Haxhiu e dekoron me medalje komandantin nga Tirana, që iu bashkua UÇK-së
Njofton Murati: Të hënen ekzekutohen shtesat për punëtorët e sektorit privat
27 vjet nga hyrja e NATO-s, SHBA rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Aktakuzë ndaj 5 personave për vrasjen e civilëve gjatë luftës
Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën
KQZ jep detaje rreth numërimit të votave: Përfundon numërimi në 37 QKN, numërohen 23 vendvotime të përfaqësive diplomatike