Prishtinë, 08 Gusht 2025
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka propozuar që i akuzuari Igor Popoviq të dënohet me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dëbim për dy vjet nga Kosova, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet palëve.
Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth mesditës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik në Rahovec, i cili, sipas Prokurorisë, ka pasur përmbajtje që nxisnin urrejtje dhe përçarje ndëretnike, përmes deklaratave të drejtuara ndaj grupeve etnike.
Prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu, sqaroi se marrëveshja parashikon dënimin me gjashtë muaj burgim, i cili do të zëvendësohet me gjobë prej 3 mijë eurosh, si dhe dënimin plotësues të dëbimit nga territori i Kosovës për dy vjet. Ajo theksoi se marrëveshja është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe është mbështetur në provat ekzistuese.
“Aktakuzës i është bashkangjitur marrëveshja për pranimin e fajësisë, e lidhur sipas ligjit. I akuzuari është konsultuar në mënyrë të mjaftueshme me mbrojtësin e tij dhe marrëveshja përputhet me provat që e mbështesin aktakuzën. Për këtë arsye, i propozojmë gjykatës shqiptimin e dënimit të rënë dakord: gjashtë muaj burgim, i zëvendësuar me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dëbim për dy vjet nga Kosova”, deklaroi Zejnullahu.
Avokati i Popoviqit, Millosh Delliviq, konfirmoi se mbrojtja qëndron prapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë. “Janë përmbushur kushtet e nenit 230, pika 17 të Kodit të Procedurës Penale për pranimin e marrëveshjes nga gjykata,” tha ai.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në orën 14:00.
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar muajin e kaluar nga Policia e Kosovës, pasi kishte mbajtur një fjalim në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ishte shprehur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, deklaratat e tij kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, duke nxitur mosbesim, tensione ndëretnike dhe rrezikuar bashkëjetesën në shoqërinë kosovare.
Popoviq e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante