Në veri të Kosovës, muajt e fundit janë shtuar dukshëm punimet për rikonstruksionin dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Nga rrugët lokale e lagjore, deri te akset më të mëdha dhe urat – fokusi është përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët dhe lidhja më e mirë e këtij rajoni me pjesët e tjera të vendit.
Këto investime vijnë pas një periudhe shumëvjeçare të neglizhencës në infrastrukturën rrugore, ku rrugët shpesh ishin të pakalueshme dhe të rrezikshme, veçanërisht në zonat malore dhe të thella rurale. Punimet aktuale përfshijnë asfaltimin, zgjerimin e rrugëve, vendosjen e sinjalizimit dhe ndërtimin e trotuareve, ndërsa sipas paralajmërimeve, planifikohen edhe projekte të tjera, përfshirë rinovimin e urave dhe rrugëve kryesore.
Banorët e veriut të Kosovës, edhe pse e kuptojnë se punimet shpesh krijojnë pengesa në qarkullim, kryesisht shprehin kënaqësi për ndryshimet që po ndodhin.
Dragan Petroviq nga Zubin Potoku thotë:
„Rruga për në fshatin tim për vite me radhë ka qenë në gjendje të keqe, gropë pas grope. Tani është asfaltuar dhe është shumë më e lehtë të arrijmë në qytet. Është një ndryshim i madh për ne. Tani kemi edhe rrugë më të mirë për të shkuar në Istog përmes fshatit Dren. Nëse vazhdojnë kështu, do të rregullojnë edhe magistralen kryesore, me siguri. Vetëm le të punojnë, Zoti i ndihmoftë.“
Milena Jovanoviq nga Leposaviqi shton:
„Trotuaret dhe ndriçimi i ri e rrisin sigurinë për këmbësorët. Më parë na frikësonte të ecnim në këmbë në mbrëmje, tani gjithçka është e ndriçuar dhe e rregulluar. Kur mendon mirë, e kupton se dikush për 25 vjet vetëm na ka mashtruar dhe na ka vjedhur.“
Marko Iliq, student nga Mitrovica e Veriut, thekson:
„Është normale që punimet krijojnë vonesa, por kur shoh asfaltin e ri dhe shtigjet për këmbësorë, e di se do të na bëhet më mirë të gjithëve.“
Xhavit Pllana, kamarier nga fshati Suhodoll, ndan përshtypjet e tij:
„Për 20 vjet kemi lutur Komunën të na asfaltojë rrugën që ka qenë në gjendje të mjerueshme. Kur pamë që erdhën makineritë, u çuditëm të gjithë. Nuk është problem që kemi pritur deri tani, vetëm le ta përfundojnë. Shoh që po punohet edhe në vende të tjera dhe kjo është gjë e mirë. Kur t’i përfundojnë punimet, kemi premtuar një festë të vogël. Edhe ju jeni të ftuar të jeni mysafirët tanë.“
Shenol Mehmeti, punëtor ndërtimi nga Mahalla e Boshnjakëve, për portalin tonë thotë:
„Kështu është ndërtuar vetëm menjëherë pas luftës. Duket se të gjithë e kanë kuptuar që duhet të jetohet dhe punohet, jo vetëm politikë e probleme. Mahalla e Boshnjakëve vitin e kaluar u rregullua komplet. Tani do të punohet edhe në ura dhe ndoshta do të bëhet më mirë. Kush të dojë le të thotë çfarë të dojë, por kjo është diçka e mirë dhe është turp të mos e pranojmë.“
Edhe pse shumica e qytetarëve mirëpresin këto investime, një pjesë shpreh dyshime për mënyrën e zgjedhjes së rrugëve që po ndërtohen, duke vlerësuar se bëhet fjalë për akse me rëndësi strategjike. Po ashtu, disa politikanë lokalë akuzojnë institucionet qendrore në Prishtinë për përpjekje për ndikim politik përmes projekteve infrastrukturore, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë theksojnë se qëllimi është zhvillimi i barabartë i të gjitha rajoneve.
Pavarësisht tensioneve politike, është e qartë se infrastruktura rrugore cilësore sjell përfitime konkrete – qarkullim më të sigurt, qasje më të lehtë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore, si dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi. Me hapjen e rrugëve të rinovuara, veriu i Kosovës po del ngadalë nga izolimi, duke krijuar kushte për një jetë më të denjë për ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në trojet e tyre.

Kosova siguron kredi prej 60 milionë eurosh për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare 2030
Lubica Trifoviq: Shteti serb na vrau fëmijët tanë në Pejë!
Të akuzuarit për sulmin në “Ibër-Lepenc” dalin para gjykatës nën masa të rrepta sigurie
Vërshimet përfshijnë Rahovecin e Ferizajn, rrugët mbulohen nga uji
Turistë nga Belgjika e Gjermania: Kosova është perlë e fshehur e Ballkanit
Mbahet seanca gjyqësore për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc