Prishtinë, 18 nëntor 2026 09:05
Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë (AUS), gjeneralmajori në pension Momir Stojanoviq, ka ngritur dyshime për përfshirjen e mundshme të Ushtrisë së Serbisë dhe shërbimit ushtarak të inteligjencës në përgatitjen e sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023.
Stojanoviq ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, aksioni në Banjskë u ishte ofruar paraprakisht disa ish-oficerëve të lartë të xhandarmërisë serbe, por ata e kishin refuzuar.
Ai ka shtuar se dyshon që oferta mund t’u jetë bërë edhe disa ish-zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA).
“Sa i përket aksionit në Banjskë, sipas informacioneve të mia, ai u ishte ofruar disa ish-oficerëve të lartë të xhandarmërisë, por ata e refuzuan”, ka deklaruar Stojanoviq.
Duke folur për përgatitjet e sulmit, ish-drejtori i ASU-së ka shprehur dyshime se ushtria serbe ose Agjencia e Sigurisë Ushtarake mund të kenë pasur rol në trajnimin, armatosjen dhe dërgimin e grupit të armatosur në territorin e Banjskës.
“Nuk do të më befasonte nëse në rastin e Banjskës, trajnimi i atyre të rinjve, armatosja e tyre dhe futja në zonën e Banjskës janë udhëhequr nga ushtria ose konkretisht nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake”, ka thënë ai.
Megjithatë, Stojanoviq ka theksuar se nuk posedon prova për këto dyshime dhe se përfshirja eventuale e institucioneve ushtarake duhet të përcaktohet përmes hetimeve nga organet kompetente.
Ai ka përmendur gjithashtu ndikimin e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në strukturat ushtarake dhe të sigurisë, duke kërkuar që përgjegjësia për organizimin dhe realizimin e sulmit të hetohet nga institucionet shtetërore dhe gjyqësore.
Armatimi dhe ndryshimet në udhëheqjen ushtarake
Pas sulmit terrorist në Banjskë, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm, Millan Mojsilloviq, kishin hedhur poshtë akuzat për përfshirjen e ushtrisë serbe në përgatitjen e sulmit.
Megjithatë, Mojsilloviq kishte konfirmuar se gjatë shtatorit të vitit 2023, në poligonet ushtarake, ishin mbajtur ushtrime të rregullta ku kishin marrë pjesë edhe 138 pjesëtarë të rezervës nga Kosova. Ai kishte mohuar se në këto trajnime kishte marrë pjesë grupi i Milan Radoiçiqit.
Ndërkohë, hulumtimet e BIRN-it për origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë kishin gjetur se një pjesë e arsenalit kishte kaluar më herët nëpër institucionet shtetërore të riparimit të armatimit në Serbi. Në mesin e tyre ishin mina mortajash, raketahedhës të tipit “Zolla” dhe një granatahedhës automatik M93.
Deklaratat e Stojanoviqit vijnë në kohën kur në udhëheqjen e strukturave ushtarake dhe të sigurisë së Serbisë janë bërë ndryshime. Gjenerali Millan Mojsilloviq dhe drejtori i ASU-së, Gjuro Jovaniq, janë pensionuar, ndërsa në krye të kësaj agjencie është emëruar Nenad Neshoviq.
Sulmi terrorist në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshje u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit. Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për rastin e Banjskës.

Radoiçiqit i ndalohet hyrja në Bosnjë – përbën kërcënim për sigurinë
Banjska dhe dyshimet për përfshirjen e strukturave serbe, Islami kërkon masa parandaluese
Maqedonci në selinë e NATO-s: Kosova ka trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas
Maqedonci: Ukraina duhet ta njohë Kosovën për bashkëpunim më të madh
Siguria e Kosovës përballë kërcënimeve hibride, Fetoshi thekson partneritetin me NATO-n
FSK-ja kalon testet ushtarake, anëtarësimi në NATO kërkon edhe mbështetje politike
Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve