Prishtinë, 17 nëntor 2026 07:08
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të krijonte mundësi për një bashkëpunim dhe mbështetje edhe më të madhe ndërmjet dy vendeve.
Këtë deklaratë Maqedonci e bëri në Bruksel, gjatë Konferencës për Veprimin Kundër Minave në Ukrainë (UMAC), ku prezantoi kontributin e Kosovës në fushën e deminimit dhe mbështetjen e ofruar për Ukrainën.
Ai bëri të ditur se që nga viti 1999, Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë pastruar 62 milionë metra katrorë tokë, kanë shkatërruar 93 mijë mjete shpërthyese dhe u janë përgjigjur afro 10 mijë thirrjeve për asgjësimin e tyre.
Sipas Maqedoncit, gjatë këtyre operacioneve nuk është lënduar asnjë pjesëtar i FSK-së.
Ministri theksoi se FSK-ja, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, ka trajnuar shtatë grupe me gjithsej 146 pjesëtarë të institucioneve ukrainase, përfshirë Policinë Kombëtare, Gardën Kombëtare dhe Shërbimet e Emergjencës.
Ai përmendi gjithashtu dy pakot e mbështetjes ushtarake të ofruara nga Kosova për Ukrainën, si dhe kontributin dyvjeçar në operacionin britanik “Interflex”, për trajnimin e rekrutëve ukrainas.
Maqedonci tha se Kosova është e gatshme të vërë në dispozicion ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Duke folur për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Ukraina, ai u shpreh:
“Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme”.
Gjatë adresimit në Bruksel, Maqedonci foli edhe për ndikimin rus në Evropë, duke theksuar se ai vazhdon të jetë i pranishëm në Serbi.
Sipas tij, institucionet ruse vazhdojnë të mbajnë kontakte dhe të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë në Serbi, ndërsa zvogëlimi i kësaj pranie do të kontribuonte në sigurinë evropiane dhe në mbështetjen e Ukrainës.

Radoiçiqit i ndalohet hyrja në Bosnjë – përbën kërcënim për sigurinë
Banjska dhe dyshimet për përfshirjen e strukturave serbe, Islami kërkon masa parandaluese
Ngrihen dyshime për përfshirje të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete serbe në sulmin në Banjskë
Maqedonci në selinë e NATO-s: Kosova ka trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas
Siguria e Kosovës përballë kërcënimeve hibride, Fetoshi thekson partneritetin me NATO-n
FSK-ja kalon testet ushtarake, anëtarësimi në NATO kërkon edhe mbështetje politike
Vite të tëra pa zgjidhje për qentë endacakë, specialisti i kimisë toksikologjike me kritika për institucionet lokale
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve