Prishtinë, 18 nëntor 2026 13:05
Udhëheqësi i Shërbimeve Sociale në Qendrën për Punë Sociale QPS në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar se gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt nuk ishte hartuar Plani Individual i Shërbimeve, ndonëse një dokument i tillë është obligativ sipas procedurave për menaxhimin e rasteve.
Kelmendi e ka bërë këtë pranim të mërkurën, gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar që po heton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ai ka thënë se dokumentacioni ishte plotësuar në një formë tjetër, por jo sipas standardeve të përcaktuara.
“Po, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligativ, është plotësuar në një formë tjetër, jo sipas standardit”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka pranuar gjithashtu se nuk kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve që ishin të përfshirë në trajtimin e këtij rasti, ndonëse ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre.
Gjatë dëshmisë, Kelmendi ka përmendur edhe mungesën e stafit në QPS-në e Pejës, duke thënë se në shërbimin që ai udhëheq janë vetëm katër punëtorë. Ai ka theksuar se psikologia e institucionit ishte në pushim të lehonisë dhe se për rastin ishte kërkuar ndihma e një psikologeje tjetër.
Sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje, Kelmendi ka bërë të ditur se QPS-ja në Pejë ka 73 raste të tilla, prej të cilave 50 janë aktive. Ndërsa, në total, institucioni administron rreth 1 mijë e 150 dosje.
Ai ka konfirmuar se ndaj punëtorëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt është iniciuar procedurë disiplinore.
Ndryshe, raporti i inspektimit të jashtëzakonshëm të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare kishte evidentuar një varg shkeljesh në QPS-në e Pejës, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, mungesën e monitorimit të rastit, mosplotësimin e dokumentacionit standard dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kishte raportuar në Polici bashkëshortin për shkelje të urdhrit mbrojtës. Tri ditë para vrasjes, ajo ishte ankuar edhe te kryeprokurorja e Pejës për rrezikun që i kanosej.

Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
4.27 miliardë euro buxhet për 2027, paga e 13-të dhe 908 milionë euro për komunat
Kosova synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhim vendor brenda katër vjetësh
Aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, dyshohet se mashtroi me prona në vlerë prej 320 mijë eurosh
Kosova renditet para shumë shteteve evropiane në indeksin e Gallup-it
Digjitalizohet procedura për pajisje me lejeqëndrim në Kosovë
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person