Prishtinë, 16 nëntor 2026 16:35
Gjykata e Lartë në Beograd nuk ka dhënë sqarime nëse Milan Radoiçiq është paraqitur në polici më 15 nëntor, siç e obligojnë masat e sigurisë ndaj tij, në kohën kur po qarkullojnë raportime se ai mund të jetë larguar nga Serbia drejt Rusisë.
Gjykata ka deklaruar se është duke mbikëqyrur zbatimin e masës dhe se, në bashkëpunim me organet kompetente, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të verifikuar nëse Radoiçiqi po i respekton detyrimet.
Megjithatë, në përgjigjen e saj të 16 nëntorit, ajo ka thënë se, për shkak të fazës së procedurës, nuk mund të japë informacione shtesë për veprimet konkrete të institucioneve.
Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiqi është i detyruar të paraqitet në stacionin policor më 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të gjykatës, ai i kishte respektuar këto masa.
Raportimet për largimin e tij drejt Rusisë u shfaqën më 13 nëntor, por deri më tani nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Radoiçiqi është personi që ka pranuar se ka udhëhequr grupin e armatosur serb që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kosova e cilëson këtë sulm terrorist dhe e akuzon Serbinë për përfshirje në të, pretendime që Beogradi zyrtar i mohon.
Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Tre prej tyre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati.
Ndaj tij po zhvillohen hetime edhe në Serbi, ndërsa është në kërkim të INTERPOL-it. Ai është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndërkohë, nga Serbia është larguar edhe Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit. Sipas burimeve të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë, ai dhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq, kanë udhëtuar drejt Turqisë më 11 nëntor.

Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027
4.27 miliardë euro buxhet për 2027, paga e 13-të dhe 908 milionë euro për komunat
Kosova synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhim vendor brenda katër vjetësh
Aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, dyshohet se mashtroi me prona në vlerë prej 320 mijë eurosh
Kosova renditet para shumë shteteve evropiane në indeksin e Gallup-it
Digjitalizohet procedura për pajisje me lejeqëndrim në Kosovë
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person