Prishtinë, 16 nëntor 2026 07:37
Një këngë nacionaliste serbe, e njohur për pretendimet territoriale ndaj Kosovës, është interpretuar në Bruksel gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, aktivitet ky i organizuar nga Komisioni Evropian.
Bëhet fjalë për këngën “Oj Kosovo, Kosovo”, muzika e së cilës është interpretuar më 15 nëntor, një ditë para nisjes së programit kryesor të Forumit, ku Kosova nuk është ftuar të marrë pjesë.
Në program ishte paraparë interpretimi nga Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”.
Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka treguar se fillimisht ishin interpretuar këngë të vendeve të tjera, ndërsa kur erdhi radha e Kosovës, në ekran u shfaq titulli i këngës “Oj Kosovo, Kosovo”.
Ajo ka sqaruar se kënga është interpretuar vetëm në formë instrumentale dhe se teksti nuk është kënduar nga interpretuesi.
Emini ka thënë se pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria janë shokuar nga kjo ngjarje, ndërsa vetë ajo ka vendosur të largohet nga salla.
Rastin e ka cilësuar si skandaloz dhe të papranueshëm edhe kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.
Ai ka kërkuar nga komisionerja për zgjerim, Marta Kos, të japë shpjegime se si është përzgjedhur kjo këngë për një aktivitet zyrtar të BE-së.
Zulfaj ka theksuar se kënga është shkruar në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur Kosovës po i shfuqizoheshin të drejtat dhe po shtypej populli i saj.
Reagim ka pasur edhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i cili ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian për mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor.
Sipas Bajramit, kjo nuk përbën shkëmbim kulturor, por promovim të pretendimeve politike mbi territorin e Republikës së Kosovës.
Forumi i Zgjerimit të BE-së, nën udhëheqjen e komisioneres Marta Kos, ka nisur më 15 nëntor dhe vazhdon më 16 nëntor. Në mesin e folësve të paraparë janë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, komisionerja Marta Kos dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kosova ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027