Prishtinë, 16 nëntor 2026 10:33
Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel është një sinjal shqetësues për qasjen e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerëson analisti i sigurisë Gurakuç Kuçi, i cili thotë se kjo ngjarje nuk mund të trajtohet vetëm si një skandal kulturor, por si çështje politike dhe e sigurisë.
Sipas Kuçit, kënga e vitit 1989, e krijuar në kohën e mobilizimit nacional-shovinist serb, përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe është pjesë e një narrative historike e politike që është përdorur për të justifikuar politikat gjenocidale të Serbisë.
Ai ngre pikëpyetje për lejimin e interpretimit të një kënge të tillë në një aktivitet institucional të BE-së, duke kujtuar se vetë Bashkimi Evropian financon programe kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe për promovimin e tolerancës e pajtimit në rajon.
“Si është e mundur që Bashkimi Evropian, i cili financon programe për luftimin e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, të lejojë promovimin e një narrative të tillë në një aktivitet të vetin institucional?”, shtron pyetjen Kuçi, përcjell Veritasinfo.
Ai e konsideron edhe më problematike faktin se kjo ngjarje ndodhi në Forumin e Zgjerimit, ku diskutohet e ardhmja evropiane e rajonit, ndërkohë që Kosova nuk kishte përfaqësim qeveritar në programin e nivelit të lartë.
Në analizën e tij, Kuçi e lidh këtë zhvillim me politikën e stabilitokracisë që, sipas tij, BE-ja ka ndjekur ndër vite ndaj Serbisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, duke i dhënë përparësi stabilitetit afatshkurtër në vend të përballjes me politikat destabilizuese të Beogradit.
“Mesazhi që përcjell një skenë e tillë në zemër të Brukselit është shqetësues, pasi pretendimet territoriale serbe gjejnë hapësirë edhe në aktivitetet evropiane, ndërsa akomodimi politik i Serbisë vazhdon të trajtohet si instrument për ruajtjen e stabilitetit rajonal”, vlerëson ai.
Sipas Kuçit, tolerimi i narrativave me pretendime territoriale nuk është pa pasoja për sigurinë rajonale, pasi rrezikon normalizimin e tyre, dobëson përpjekjet për pajtim dhe mund ta shndërrojë procesin e zgjerimit evropian në mekanizëm për akomodimin e kërkesave politike të Beogradit.
Ai rikujton se vetë Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i Marrëveshjes së vitit 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh respektimin e integritetit territorial, barazinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Nuk mund të kërkohet zbatimi i këtyre parimeve në tryezën e dialogut, ndërkohë që në aktivitetet e Komisionit Evropian u jepet hapësirë mesazheve që bien ndesh me to”, thekson Kuçi.
Në këtë drejtim, ai i kërkon komisionares për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, të distancohet publikisht nga interpretimi i këngës, të kërkojë falje dhe të japë shpjegime se kush e ka miratuar një repertor të tillë në aktivitetin e Komisionit Evropian.
Kuçi kërkon nga Bashkimi Evropian të qartësojë nëse politika e zgjerimit vazhdon të mbështetet në sundimin e ligjit, sigurinë dhe respektimin e integritetit territorial, apo nëse stabilitokracia vazhdon të përcaktojë marrëdhëniet e tij me Serbinë, në dëm të besueshmërisë së politikës evropiane ndaj Kosovës.
“Pajtimi që toleron pretendimet territoriale nuk ndërton paqe të qëndrueshme, por krijon kushte për kriza të reja”, përfundon Kuçi.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kosova ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027