Preshevë, 15 nëntor 2026 09:41
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka kërkuar që pushteti i ri në Serbi të ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke i trajtuar problemet e tyre si çështje të sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.
Kamberi ka thënë se përfaqësuesit shqiptarë presin që qeveria e re të ndërpresë praktikën e injorimit të problemeve të komunitetit shqiptar.
Ai ka theksuar se qëndrimi i pushtetit të ri do të vlerësohet në bazë të veprimeve konkrete dhe jo deklaratave apo premtimeve politike.
“Shqiptarët kërkojnë barazi, përfaqësim institucional, arsimim, perspektivë ekonomike dhe mundësi për të jetuar me dinjitet në vendin ku kanë lindur”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka bërë të ditur se përfaqësuesit shqiptarë janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me çdo qeveri që dëshmon vullnet politik për zgjidhjen e këtyre problemeve, por ka nënvizuar se dialogu nuk mund të zëvendësojë rezultatet konkrete dhe se bashkëpunimi nuk nënkupton heqje dorë nga të drejtat legjitime.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, Koalicioni Shqiptar, i përbërë nga tetë subjekte politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, siguroi 27 mijë e 670 vota dhe dy mandate në Kuvendin e Serbisë. Në legjislaturën e re, shqiptarët do të përfaqësohen nga Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti.
Kamberi ka theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve nuk duhet të kufizohet vetëm në praninë e tyre në Kuvend apo në mundësinë e pjesëmarrjes në pushtetin ekzekutiv.
Ndër çështjet kryesore që ai synon t’i trajtojë në Kuvend janë përfaqësimi më i madh i shqiptarëve në institucionet shtetërore, pasivizimi i adresave, njohja e diplomave, arsimi në gjuhën shqipe, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe zhvillimi ekonomik i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ai ka paralajmëruar një qasje konstruktive, por edhe kritike në punën parlamentare, duke theksuar se bashkëpunimi me grupet e tjera parlamentare nuk do të nënkuptojë heqje dorë nga pavarësia politike në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve.
Sipas Kamberit, përfaqësimi i pakicave kombëtare në institucionet e shtetit duhet të jetë standard demokratik dhe jo çështje e vullnetit apo mëshirës së shumicës parlamentare.

Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Kosova angazhon kompani amerikane për lobim në Uashington
Specialja në rend dite, deputetët sot përballen me votimin e ligjit
Kamberi e Memeti të kujdesshëm ndaj pushtetit të ri: Shqiptarët presin rezultate, jo premtime
Terras kritikon BE-në për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
Kosova ndalon tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027