Prishtinë, 11 nëntor 2026 09:52
Një kompani serbe nga qyteti i Kikindës ka furnizuar me makineri ndërmarrje ruse, të cilat më pas i kanë përcjellë pajisjet te kompani të industrisë ushtarake ruse, përfshirë edhe subjekte që janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL), kompania serbe Grindex, e specializuar në prodhimin e makinerive për përpunimin e metaleve, ka vazhduar eksportet drejt Rusisë edhe pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Të dhënat e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR) tregojnë se nga marsi i vitit 2022 deri në mars të vitit 2025, në Rusi janë importuar makineri të kësaj kompanie në vlerë prej rreth 27.5 milionë eurosh.
Hulumtimi zbulon se pajisjet janë dërguar përmes kompanive ndërmjetëse ruse, disa prej të cilave janë në listat e sanksioneve amerikane dhe evropiane për shkak të lidhjeve me industrinë ushtarake të Rusisë.
Një prej tyre është kompania Alfa Machinery Group (AMG), e cila është sanksionuar nga SHBA-ja në vitin 2023 dhe nga BE-ja në dhjetor të vitit 2024. Sipas të dhënave të HUR-it, kjo kompani ka furnizuar me makineri ndërmarrje të lidhura me gjigantin shtetëror rus të industrisë ushtarake, Rostec.
Ndër pajisjet e eksportuara përmes AMG-së janë edhe makina CNC, të cilat përdoren për përpunimin e metaleve me precizion të lartë dhe që më pas kanë përfunduar në ndërmarrje që prodhojnë pjesë për aviacionin ushtarak rus.
Hulumtimi evidenton edhe kompani të tjera ruse, përfshirë Finval Energo dhe Unimatik MSK, të cilat kanë importuar produkte të Grindexit. Sipas të dhënave të autoriteteve ukrainase, vetëm Finval Energo ka importuar makineri në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh gjatë periudhës 2022–2025.
Ndërkohë, kompania serbe nuk iu është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me eksportet në Rusi dhe bashkëpunimin me kompanitë ndërmjetëse.
Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Kjo ka lehtësuar vazhdimin e marrëdhënieve tregtare me kompanitë ruse.
Megjithatë, në vitin 2025, Serbia miratoi një ligj të ri për kontrollin e eksportit dhe importit të mallrave për përdorim të dyfishtë, të cilat mund të shfrytëzohen si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.
Ministria e Tregtisë së Serbisë i ka thënë REL-it se nuk i kishte lëshuar leje eksporti kompanisë Grindex, ndërsa Administrata Doganore ka deklaruar se nuk kishte kryer kontrolle të mëvonshme të eksporteve të saj.
Sipas ekspertëve të cituar në hulumtim, problemi kryesor mbetet zbatimi dhe mbikëqyrja e kontrolleve, pasi pajisjet që mund të përdoren në industrinë ushtarake vazhdojnë të arrijnë në Rusi përmes kompanive ndërmjetëse dhe rrugëve alternative tregtare.
Një hulumtim i mëparshëm i REL-it kishte zbuluar se që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, përmes kompanive serbe në Rusi ishin eksportuar mallra për përdorim të dyfishtë në vlerë prej të paktën 71.1 milionë dollarësh.

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme të reja, një ditë para negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja
Hakerët zbulojnë humbjet ruse në Ukrainë, pretendohet se janë vrarë deri në 450 mijë persona
Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë në Izrael, Netanyahu rrezikon humbjen e pushtetit
Pesë të vdekur dhe mbi dhjetë të plagosur nga të shtënat në qendër të Krakovit
Të paktën 20 të vrarë dhe 15 të plagosur nga sulmet në një treg në Jemen
Kërcënimet për bomba alarmojnë Evropën, disa avionë detyrohen të bëjnë ulje të paplanifikuara
Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për Raportin e KE-së për Kosovën
Trump nominon Mikhail Bogachekun për ambasador të SHBA-së në Kosovë
Dokumentari kosovar vlerësohet në Milano, çmim ndërkombëtar për “Karate e Yjeve”