Prishtinë, 30 shtator 2026 06:51
Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se marrëveshja është arritur në Zyrën e Kryeministrit.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka njoftuar se marrëveshja është arritur sot në Zyrën e Kryeministrit, pas bisedimeve mes përfaqësuesve të subjekteve politike.
“Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët”, ka shkruar Kurti.
Ai ka falënderuar kryetarët e subjekteve politike Shaip Kamberin, Visar Memetin, Nagip Arifin, Agim Sabedinin, Shqiprim Musliun, Sami Salihun, Armend Aliun dhe Naser Azirin, për, siç ka thënë, “angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve”.
Kurti ka thënë se bashkimi politik nuk është i mjaftueshëm dhe ka kërkuar përfaqësim të garantuar për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Parlamentin e Serbisë.
“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi”, ka shkruar ai.
Sipas Kurtit, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku pesë vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, duke iu referuar numrit të ulëseve të garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
“Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu si pjesë të këtij angazhimi çështjet që lidhen me “mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimi i drejtë në institucione publike si dhe zhvillimi ekonomik”.
Kurti ka theksuar se gjuha, kultura, simbolet dhe kujtesa janë, sipas tij, pjesë e identitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë rrugë, besojmë se përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët”, ka shkruar ai.
Në fund, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet”, ka përfunduar Kurti.

Preleviq: Hapja e dosjeve të BIA-s mund të zbulojë lidhjet mes politikës dhe krimit
Kosova forcon bashkëpunimin juridik me Suedinë dhe Belgjikën
Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend, në ora 11:00 pritet të vendoset për votimin
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Kurti kërkon nga Macroni mbështetjen e Francës për statusin e kandidatit të Kosovës në BE
Kosova lëshon pikë të rëndësishme, barazon me Izraelin
Kosova dhe Izraeli mbyllin pa gola pjesën e parë
Siguria e Kosovës përballë kërcënimeve hibride, Fetoshi thekson partneritetin me NATO-n