Preshevë, 30 shtator 2026 09:32
Partitë politike shqiptare nga Lugina e Preshevës janë bashkuar sërish në një listë të përbashkët zgjedhore, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat janë caktuar për 25 tetor.
Lista e përbashkët do të mbajë emrin “Koalicioni Shqiptar”, ndërsa marrëveshja për pjesëmarrje të përbashkët është arritur në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Bashkimi i partive shqiptare në Luginë ka sjellë edhe rezultate më të larta zgjedhore në të kaluarën. Rasti më i suksesshëm ishte viti 2020, kur partitë shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës garuan me një listë të vetme, të quajtur “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
Në atë proces zgjedhor, lista shqiptare mori 26 mijë e 437 vota, apo 0.82 për qind të votave, rezultat që u përkthye në tri mandate në Kuvendin e Serbisë.
Ky ishte rezultati më i madh i shqiptarëve të Luginës në përfaqësimin parlamentar në Serbi. Sipas të dhënave të publikuara nga KOHA, nga viti 2007 deri në vitin 2020, partitë shqiptare nuk kishin arritur të siguronin më shumë se një ulëse në parlamentin serb.
Në zgjedhjet e vitit 2022, shqiptarët garuan me dy lista dhe koalicioni i përbashkët nuk arriti të siguronte mandat, ndërsa Shaip Kamberi, përmes listës tjetër shqiptare, arriti të fitonte një ulëse.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2023, partitë shqiptare garuan të ndara, ndërsa lista e drejtuar nga Shaip Kamberi mori numrin më të madh të votave shqiptare dhe ai siguroi sërish mandatin e deputetit.
Tash, për zgjedhjet e 25 tetorit 2026, partitë shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë bashkuar përsëri në një listë të vetme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet të kenë përfaqësim më të madh në institucionet e Serbisë, duke e lidhur këtë edhe me përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, duke qenë se serbët në Kosovë kanë të garantuara 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, shqiptarët e Luginës do të duhej të kishin së paku pesë ulëse të garantuara në Parlamentin e Serbisë.
Zgjedhjet e 25 tetorit pritet të përcaktojnë nëse bashkimi i ri politik i shqiptarëve të Luginës do të sjellë sërish një rritje të përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Serbisë.

Preleviq: Hapja e dosjeve të BIA-s mund të zbulojë lidhjet mes politikës dhe krimit
Kosova forcon bashkëpunimin juridik me Suedinë dhe Belgjikën
Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend, në ora 11:00 pritet të vendoset për votimin
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Kurti kërkon nga Macroni mbështetjen e Francës për statusin e kandidatit të Kosovës në BE
Kosova lëshon pikë të rëndësishme, barazon me Izraelin
Kosova dhe Izraeli mbyllin pa gola pjesën e parë
Siguria e Kosovës përballë kërcënimeve hibride, Fetoshi thekson partneritetin me NATO-n