Prishtinë, 14 nëntor 2026 09:10
Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, është shprehur skeptik se ndryshimi i pushtetit në Serbi dhe fitorja e Listës Studentore do të sjellin ndryshim të qasjes së këtij shteti ndaj çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Limani ka thënë se deri më tani përfaqësuesit e Listës Studentore nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje, ndërsa deklarimet e tyre për Kosovën nuk japin shumë shpresë për ndryshime pozitive.
Ai ka kërkuar që qeveria e re në Serbi të shkëputet nga politika e deritanishme e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi dhe të zbatojë zotimet e marra në vitin 2023, veçanërisht atë për qasje në arkivat e forcave serbe.
Sipas Limanit, pikërisht në dokumentacionin e ushtrisë dhe policisë serbe mund të gjenden informacione vendimtare për zbardhjen e fatit dhe lokacioneve të personave të zhdukur.
Ai ka kujtuar se bashkëpunimi i autoriteteve të mëparshme serbe ka qenë i dobët, pavarësisht premtimeve të dhëna në takime dhe forume ndërkombëtare.
“Përvoja jonë me qeverinë e kaluar ka qenë jashtëzakonisht pesimiste ose jo e mirë, për faktin se aspak nuk janë treguar kooperativë në çështjen e personave të zhdukur”, ka deklaruar Limani.
Ai ka theksuar se presioni ndërkombëtar mbetet i domosdoshëm për të siguruar bashkëpunimin e Serbisë, pasi, sipas tij, ky shtet nuk ka ofruar bashkëpunim konkret në mungesë të trysnisë nga faktori ndërkombëtar.
Limani ka bërë të ditur se aktualisht në Kosovë figurojnë 1 mijë e 555 persona të zhdukur nga lufta e fundit.
Ai gjithashtu ka akuzuar autoritetet serbe për kërcënime ndaj personave që mund të kenë informacione për fatin e të zhdukurve, duke vlerësuar se deklarimet e deritanishme të zyrtarëve serbë nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar ka shprehur shpresën që qeveria e re në Serbi të ndryshojë kursin politik dhe të mos vazhdojë me qasjen penguese të paraardhësve të saj.
Megjithatë, ai ka thënë se zhvillimet dhe deklarimet e deritanishme nuk japin arsye për optimizëm lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje humanitare.

Aktakuzë për vrasje të rëndë në Lipjan, i dyshuari akuzohet se e goditi viktimën dhe ia fshehu trupin në një gropë
Pasuria e pajustifikueshme në verifikim, hyn në fuqi ligji për Byronë
Milan Radoiçiq është larguar drejt Rusisë
20 lokacione të hulumtuara në Kosovë, mbi 1 mijë e 500 të zhdukur nga lufta
Policia sekuestron dokumente të dyshuara të strukturave paralele serbe në Bërnjak
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Pezullohen fluturimet në ShBA
FSK-ja kalon testet ushtarake, anëtarësimi në NATO kërkon edhe mbështetje politike