Prishtinë, 29 shtator 2026 14:10
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka organizuar një sesion informues për bizneset, me qëllim të prezantimit të përfitimeve dhe mundësive që ofron Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve anëtare të EFTA-s.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila, theksoi se marrëveshja, e cila hyn në fuqi më 1 tetor 2026, hap një kapitull të ri në marrëdhëniet tregtare të Kosovës me Zvicrën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Islandën.
Sipas saj, zbatimi i marrëveshjes synon rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve në një treg me rreth 30 milionë banorë, promovimin e investimeve të huaja dhe avancimin e inovacionit.
Kusari-Lila theksoi se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka negociuar edhe tregtinë e shërbimeve si pjesë të marrëveshjes së tregtisë së lirë me EFTA-n.
Ajo bëri me dije se, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, produktet industriale të Kosovës do të kenë qasje të plotë në tregjet e vendeve të EFTA-s pa tarifa doganore, ndërsa liberalizimi i produkteve që importohen nga këto shtete do të bëhet gradualisht, duke marrë parasysh dallimet në nivelin e zhvillimit ekonomik.
Sa u përket produkteve bujqësore, ministrja tha se do të zbatohen modalitete të veçanta të liberalizimit, përfshirë kuotat tarifore për produkte të caktuara.
Ajo vlerësoi se marrëveshja paraqet mundësi të rëndësishme për kompanitë vendore, të cilat do të mund të rrisin eksportet, të krijojnë partneritete me kompani ndërkombëtare dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve evropianë të vlerës.
Megjithatë, Kusari-Lila theksoi se për të përfituar nga këto mundësi, bizneset kosovare duhet të investojnë në teknologji, të rrisin kapacitetet prodhuese dhe të përmbushin standardet ndërkombëtare të cilësisë, efikasitetit energjetik, transparencës dhe përgjegjësisë sociale.
Ajo nënvizoi se përgatitja e bizneseve për këto kërkesa kërkon angazhim të përbashkët të ministrisë, odave ekonomike dhe asociacioneve të biznesit.
Duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare, Kusari-Lila bëri me dije se gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave të Kosovës drejt vendeve të EFTA-s tejkaluan 100 milionë euro, duke përbërë 11 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit. Krahasuar me vitin 2024, eksportet shënuan rritje prej 15 për qind.
Ajo theksoi se Zvicra përbën 91 për qind të eksporteve totale të Kosovës drejt vendeve anëtare të EFTA-s.
Ndërkaq, importet nga këto vende gjatë vitit 2025 arritën në rreth 53 milionë euro, duke përbërë 0.8 për qind të importeve të përgjithshme të Kosovës. Në krahasim me vitin paraprak, ato shënuan rritje prej 20.4 për qind.
Sa i përket tregtisë së shërbimeve, ministrja tha se Kosova ka bilanc pozitiv të konsiderueshëm. Sipas saj, Zvicra përfaqëson rreth 20 për qind të eksporteve totale të shërbimeve të Kosovës.
Tutje Kusari-Lila theksoi se marrëveshja me EFTA-n nuk duhet të shihet vetëm si një marrëveshje tregtare, por edhe si mundësi për rritjen e produktivitetit, nxitjen e investimeve dhe inovacionit, si dhe transformimin gradual të potencialit të bizneseve vendore.
Ndërsa, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.
“Ne po shënojmë këtë arritje të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe vendeve të EFTA-s. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe katër vendeve të EFTA-s Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë do të hyjë në fuqi më 1 tetor, dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme, theksoi ajo

Gola në Strasburg: Nëse zbatohen rigorozisht standardet ndërkombëtare të drejtësisë, liderët e UÇK-së do të lirohen
Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales
Latimer: SHBA-ja dhe Kosova, partnerë për sigurinë dhe sovranitetin
Kurti: Në SHBA diskutuam për Hagën, të zhdukurit dhe të ardhmen euro-atlantike
Kuvendi pritet të miratojë deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara
Takohen Kurti e Hamza
Kërcënohet publikisht nga një profil rus Ramush Haradinaj
Dëshmitarja në rastin e sulmit ndaj kanalit “Ibër-Lepenc”: Pashë një sasi të madhe uji që po vinte në drejtim të shtëpisë sime
Vazhdon gjykimi për sulmin në kanalin “Ibër-Lepenc”