Prishtinë, 13 nëntor 2026 15:45
Ka hyrë në fuqi Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon të krijojë një mekanizëm të ri për identifikimin dhe konfiskimin e pasurisë që nuk mund të justifikohet me të ardhurat e ligjshme.
Ky ligj parasheh themelimin e Byrosë Shtetërore, e cila do të ketë kompetencë për mbledhjen, analizimin dhe verifikimin e të dhënave lidhur me pasurinë, veçanërisht në rastet kur ekziston mospërputhje ndërmjet pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ardhurave të tyre të ligjshme.
Sipas mekanizmit të paraparë, Byroja do të ketë rol hetues dhe analitik, ndërsa vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë do ta marrë gjykata. Personat ndaj të cilëve zhvillohen procedurat do të kenë të drejtën të paraqesin prova dhe të kundërshtojnë pretendimet.
Ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 29 tetor 2026, në lexim të dytë, me 66 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime.
Kjo nismë ligjore është një prej reformave të diskutuara prej vitesh në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Versionet e mëparshme të ligjit ishin rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa versioni i ri është proceduar me synimin e adresimit të vërejtjeve të mëhershme kushtetuese.
Qëllimi i këtij ligji është forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm, duke rritur llogaridhënien e zyrtarëve publikë dhe duke siguruar që pasuria e tyre të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme.

Milan Radoiçiq është larguar drejt Rusisë
20 lokacione të hulumtuara në Kosovë, mbi 1 mijë e 500 të zhdukur nga lufta
Policia sekuestron dokumente të dyshuara të strukturave paralele serbe në Bërnjak
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Radulloviqi përballet me akuzat për terrorizëm në Banjskë, ndërpritet seanca
Krimet e luftës në Gjilan, dëshmitari: Gjurmët e plumbave ende janë të dukshme
Pasuria e pajustifikueshme në verifikim, hyn në fuqi ligji për Byronë
Kosova forcon bashkëpunimin juridik me Suedinë dhe Belgjikën