Prishtinë, 25 shtator 2026 19:10
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ngritur nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, pasi autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar sot sërish një ngarkesë me mish me origjinë nga Brazili, me afat të skaduar, e cila ishte e destinuar për tregun e Kosovës.
Dhjetë ditë më herët, po ashtu nga autoritetet e Malit të Zi, u ndaluan tre kontejnerë me mish viçi me afat të skaduar me origjinë nga Brazili, që ishte destinuar po për kompaninë “Apetit”. Duke përfshirë edhe rastin e sotëm, sipas Doganës së Malit të Zi, mish i kapur është rreth 103 tonë.
Ndërkohë në një reagim në rrjetet sociale, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze për sigurinë ushqimore dhe se është në pritje të informatave të plota zyrtare për rastin.
Megjithatë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se që nga 18 shtatori ka nisur kontrolle të detajuara ndaj “Apetitit”, i cili, sipas saj, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Kontrollet përfshijnë verifikimin e dokumentacionit të importit dhe origjinës, afateve të përdorimit, sasive të importuara e të shpërndara, si dhe destinacioneve të produkteve.
“Kontrollet janë plotësuar edhe me marrjen e mostrave dhe analizat përkatëse. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masa shtesë në dy linjat e kontrollit kufitar, ndërsa inspektorati i brendshëm po kontrollon sasitë e produkteve në depo dhe ato të vendosura në treg”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka paralajmëruar se, në varësi të rezultateve të kontrolleve dhe nivelit të rrezikut të identifikuar, do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të çdo produkti që nuk i plotëson kriteret e sigurisë ushqimore.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se konsumatorët do të informohen për çdo të gjetur gjatë kontrolleve. Në rast se identifikohet ndonjë produkt që paraqet rrezik për shëndetin publik, do të publikohen të dhënat për identifikimin e tij dhe udhëzimet për konsumatorët.
“Secili produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë
Gati tri dekada pas luftës, vetëm 77 persona të dënuar për krime lufte në Kosovë
Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
Policia e Kosovës synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes gradimeve të reja
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës