Prishtinë, 24 shtator 2026 06:54
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A5), të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Në fjalën e tij, Konjufca falënderoi ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, për udhëheqjen e këtij formati dhe bëri thirrje për një A5 më të fuqishme, të mbështetur në qëndrueshmëri, solidaritet dhe llogaridhënie, me Kosovën si anëtare të plotë.
Duke iu referuar sulmit terrorist në Banjskë, Konjufca rikujtoi se të enjten shënohen tri vjet nga ky sulm, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai tha se personat që kryen sulmin vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke theksuar se Banjska dëshmon pse llogaridhënia është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Konjufca iu referua edhe sulmit të vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, duke vlerësuar se ky rast tregon rëndësinë e mbrojtjes së sistemeve thelbësore të vendit nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride.
Ai theksoi se Kosova është përballur me të dyja këto sulme dhe se është e gatshme të japë kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj sulmeve të tilla.
Në përmbyllje, Konjufca tha se anëtarësimi i plotë i Kosovës në A5 do t’i mundësonte vendit të marrë përgjegjësi më të madhe dhe të kontribuojë më fuqishëm në sigurinë rajonale, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballimin e kërcënimeve hibride.
“Ka ardhur koha që A5 të bëhet A6”, tha Konjufca.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor
Gjykata Kushtetuese: Kuvendi është konstituar, formimi i Qeverisë nuk është antikushtetues
Islami: Serbia vazhdon luftën hibride dhe propagandën kundër institucioneve të Kosovës
Kurti në New York kërkon bazë të përhershme amerikane në Bondsteel dhe hapjen e arkivave nga Serbia
Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin, diskutojnë për marrëdhënien Kosovë – Serbi dhe rrugën euroatlantike
Kurti takon Kallasin: UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj spastrimit etnik nga Serbia
Bordi i Paqes propozon plan 2.45 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës
Konjufca kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut
Aksident i rëndë në rrugën Landovicë-Gjonaj, humb jetën një motoçiklist
Foda para sfidës me Irlandën: Kosova synon fitore, Muriqi kapiten