Prishtinë, 21 shtator 2026 07:08
Muzeu Etnologjik i Kosovës po shënon dy dekada veprimtari në funksion të ruajtjes, dokumentimit dhe promovimit të etnokulturës dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës.
I themeluar më 27 korrik 2006 dhe i hapur për publikun më 11 shtator të po atij viti, muzeu është sot pjesë e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe vepron në kompleksin historik “Emin Xhiku”, në qendër të Prishtinës.
Kompleksi “Emin Xhiku”, i konsideruar ndër strukturat më të vjetra të Prishtinës, përbëhet nga objekte që datojnë kryesisht nga shekujt XVIII dhe XIX. Arkitektura e tij pasqyron tipare të jetës qytetare shqiptare nën ndikimin osman, ndërsa njëra prej shtëpive prej guri është sjellë në kompleks nga qendra e vjetër e qytetit gjatë viteve ’60, pas rrënimit të Çarshisë së Vjetër të Prishtinës.
Në hapësirat e muzeut janë të ekspozuara më shumë se 1,430 eksponate etnologjike, të mbledhura nga punonjësit e Muzeut Kombëtar të Kosovës përgjatë më shumë se 75 vjetëve. Ekspozitat paraqesin mënyrën e jetesës dhe traditat e shqiptarëve në Kosovë, duke përfshirë lindjen, jetën, vdekjen dhe trashëgiminë shpirtërore.
Vizitorët mund të shohin oda tradicionale, veshje popullore, stoli, enë e orendi, vegla pune, instrumente muzikore, armë, objekte të lidhura me dasmën dhe aspekte të tjera të jetës së përditshme.
Përgjatë dy dekadave, muzeu ka organizuar edhe aktivitete të ndryshme kulturore e edukative. Ndër to kanë qenë hulumtimet etnomuzikologjike në rajone të ndryshme të Kosovës, ligjëratat për etnokulturën dhe trashëgiminë kulturore, ekspozitat e përkohshme dhe aktivitetet kushtuar zejeve tradicionale.
Një prej projekteve të veçuara ka qenë “Java e artizanateve”, e organizuar në disa edicione, ku zejtarë nga vende të ndryshme të Kosovës kanë demonstruar punimin e argjendarisë, drugdhendjes, poçarisë, farkëtarisë, tekstilit dhe zejeve të tjera tradicionale.
Këto aktivitete kanë synuar jo vetëm prezantimin e trashëgimisë kulturore, por edhe ruajtjen e zejeve që me kalimin e kohës janë zhdukur ose janë përballur me rrezikun e humbjes së traditës.
Gjatë viteve, Muzeu Etnologjik është shndërruar gjithashtu në një pikë të rëndësishme për turizmin kulturor në Prishtinë. Ai vizitohet nga nxënës e studentë, pjesëtarë të diasporës, delegacione të huaja dhe turistë nga vende të ndryshme të botës.
Sipas vlerësimeve të publikuara në TripAdvisor dhe të cituara në materialin e autorit, muzeu është renditur për dhjetë vjet radhazi si një prej atraksioneve kryesore turistike në Kosovë.
Gjatë dy dekadave, për muzeun kanë raportuar edhe media të njohura ndërkombëtare, ndërsa aktivitetet e tij janë promovuar përmes mediave vendore, platformave ndërkombëtare dhe rrjeteve sociale.
Me hyrjen në dekadën e tretë të veprimtarisë, Muzeu Etnologjik i Kosovës vazhdon të ketë rol në ruajtjen, studimin, dokumentimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore, duke shërbyer si hapësirë për edukim, komunikim kulturor dhe promovim të Kosovës te vizitorët vendas e të huaj.

Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Ministria e Kulturës ndan afro 200 mijë euro për restaurimin e Përmendores së Minatorëve në Mitrovicë
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Nis nata e parë “Akordet e Kosovës”
Tre filma kosovarë njëkohësisht në kinema, shenjë e zhvillimit të kinematografisë vendore
Akordet e Kosovës” gati për tri net muzikore, në skenë edhe talentet e rinj
Historianët kundërshtojnë narrativën serbe për vitin 1690: Kosova nuk u popullua nga shqiptarët e ardhur nga veriu i Shqipërisë
Pritja që zgjati 27 vjet: Dr. Adem Ademi identifikohet në Hagë
Kurti: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE, pozita aktuale nuk e pasqyron progresin e bërë
Mjeku që shërbeu në luftë, pas 27 vitesh identifikohet përmes ADN-së