Prishtinë, 20 shtator 2026 08:52
Krusheva, qyteti i njohur sot në Maqedoninë e Veriut, në fundin e shekullit XIX kishte një prani të rëndësishme shqiptare, ndonëse kjo pjesë e historisë së qytetit është pasqyruar në mënyrë të ndryshme nga autorë dhe burime të kohës.
Të dhënat e sjella nga linguisti gjerman Gustav Ludwig Weigand, i cili e vizitoi Krushevën në verën e vitit 1889, japin një pasqyrë interesante për përbërjen e popullsisë së qytetit. Sipas tij, Krusheva kishte rreth 12 mijë banorë, prej të cilëve rreth 7 mijë ishin vllehë, 4 mijë bullgarë dhe rreth 800 shqiptarë. Nga kjo përbërje, sipas llogaritjes së bërë nga të dhënat e Weigandit, rezulton se në qytet kishte rreth 160 shtëpi shqiptare.
Weigandi qëndroi në Krushevë nga 26 qershori deri më 3 korrik 1889. Ai u interesua për jetën e qytetit, zejtarinë dhe përbërjen e popullsisë, duke lënë të dhëna që sot shërbejnë si burime për studimin e historisë së kësaj treve.
Prania shqiptare në Krushevë dëshmohet edhe nga ndarja tradicionale e qytetit në mëhallë. Burimet e cituara në studim përmendin “Mëhallën e Shqiptarëve” dhe Mëhallën e Strungëve, ku ishin të përqendruar shqiptarët. Në qytet vepronin familje shqiptare të njohura edhe në tregti dhe veprimtari bankare.
Historia e Krushevës shkon edhe më herët. Një nga përmendjet më të vjetra të qytetit gjendet në një burim osman të vitit 1467, ku Krusheva paraqitet si një fshat në fazat e para të formimit. Gjatë shekujve XVIII dhe XIX, qyteti u zhvillua dhe u shndërrua në një qendër të rëndësishme tregtare e zejtare.
Në vitin 1858, diplomati austriak dhe albanologu Johann Georg von Hahn e vizitoi Krushevën. Ai përshkroi qytetin, kishat, hanet, zejtarët dhe veprimtarinë ekonomike të tij, ndërsa të dhënat e tij për shqiptarët në zonën përreth japin një tjetër dëshmi për praninë shqiptare në këtë pjesë të Ballkanit.
Një tjetër burim i përmendur është konsulli rus në Manastir, Aleksandar Rostovski, i cili në fund të shekullit XIX publikoi të dhëna statistikore për popullsinë e Vilajetit të Manastirit. Megjithatë, të dhënat e tij për Krushevën ndryshojnë dukshëm nga ato të burimeve të tjera, veçanërisht sa i përket shqiptarëve të besimit ortodoks.
Këto dëshmi historike tregojnë se shqiptarët ishin pjesë e jetës së Krushevës në shekullin XIX dhe se prania e tyre nuk ishte vetëm periferike. Të dhënat e vitit 1889, sipas Weigandit, flasin për rreth 800 shqiptarë në qytet, që përkthehen në afërsisht 160 ekonomi familjare.
Historia e shqiptarëve të Krushevës, megjithatë, është më e gjerë dhe përfshin zhvillime të tjera përgjatë shekujve.

“Summer Culture” sjell në Kosovë artistë nga vende të ndryshme të botës
Përmbyllet edicioni i 18-të i PriFest, ndahen çmimet kryesore
Mitrovica International Jazz Days: Edicioni i katërt sjell emra të njohur botërorë
“Dua” rikthehet në Prishtinë me rrëfimin e luftës
Kalaja e Prizrenit rihapet pjesërisht për vizitorë
“Ditari i një fotografi të luftës” hapet në Prishtinë, ekspozitë në nderim të luftës së UÇK-së
Kurti: Ruajtja e gjuhës shqipe, përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm
Qindra dronë godasin Moskën në ditën e fundit të votimit në zgjedhjet parlamentare të Rusisë
Në vitin 1889, Krusheva kishte rreth 160 shtëpi shqiptare
Kurti: Nevojitet strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit të Speciales