Mitrovicë, 3 shtator 2026 10:23
Policia e Kosovës, si Institucion i sigurisë në vend, përveç rasteve kur zbulon armë të paligjshme gjatë kontrolleve nëpër shtëpi, po përballet edhe me raste kur qytetarët i dorëzojnë ato në mënyrë vullnetare.
Këtë e ka bërë të ditur për Veritasinfo Erduan Buliqi, shef i Departamentit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, i cili ka theksuar se një pjesë e rasteve janë rezultat i bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, përfshirë edhe pjesëtarë të komunitetit serb.
“Po ashtu kemi raste kur gjejmë armatim nëpër shtëpi të banuara, por kemi edhe raste kur vullnetarisht qytetarët i dorëzojnë ato”, ka deklaruar Buliqi.
Sipas tij, dorëzimi vullnetar i armëve tregon se bashkëpunimi me qytetarët mund të japë rezultate konkrete në forcimin e sigurisë dhe parandalimin e qarkullimit të armëve të paligjshme.
Në këtë kuadër, komunikimi me qytetarët serbë në komunat me shumicë serbe shihet si një element i rëndësishëm i punës së institucioneve të sigurisë. Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me komunitetin ka mundësuar që në raste të caktuara armët të dorëzohen pa pasur nevojë për operacione kontrolli, duke kontribuar në uljen e rrezikut për qytetarët dhe komunitetet.
Këto raste paraqesin një tregues se përfshirja dhe bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet e Kosovës mund të prodhojë rezultate konkrete në fushën e sigurisë.
Në fund të muajit gusht, Policia ekspozoi një arsenal të madh të sekuestruar në disa lokacione në Zubin-Potok: 72 armë, 7 mjete shpërthyese, 7 granata dore dhe 4,831 copë municion, ndër të tjera. Operacionet ishin zhvilluar në 48 lokacione.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës
Radoiçiqi dhe Veselinoviqi përballen me akuza të reja për vrasje
Kërcënim për bombë në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, paralajmërohen sulme terroriste
Armët ilegale, kërcenim për sigurinë në Kosovë
Kosova kërkon nga SHBA blerjen e helikopterëve
Kajtazi: Javelin-i forcon mbrojtjen antitank të Kosovës, por FSK-së i duhen edhe kapacitete për goditje në thellësi
Konjufca: Serbia po e shfrytëzon OKB-në për qëllime politike
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit