Prishtinë, 3 shtator 2026 08:32
Mungesa e informacionit të besueshëm për vendndodhjet e mundshme të varreve dhe qasja në arkivat ushtarake të Serbisë mbeten ndër pengesat kryesore në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Këto çështje janë ngritur sërish nga delegacioni i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe përfaqësuesit e familjeve të të zhdukurve gjatë një vizite në selinë e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në Gjenevë.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, në një kohë kur institucionet e Kosovës po përballen me një fazë të re të kërkimeve për personat e zhdukur, pas gjetjes së mbetjeve mortore në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Delegacioni kosovar zhvilloi takime me Kristina Imbach von Arx, bashkëpunëtore e Operacioneve të Mbrojtjes për Euroazinë, dhe Florian von Koenig, këshilltar në Agjencinë Qendrore të Gjurmimit dhe në Qendrën e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe për Personat e Zhdukur.
Gjatë takimeve u prezantua progresi i deritanishëm në kërkimin e personave të zhdukur, por edhe sfidat që, sipas institucioneve të Kosovës, vazhdojnë ta pengojnë përfundimin e këtij procesi.
Në fokus të diskutimeve ishte veçanërisht mungesa e informacionit të besueshëm për lokacionet ku mund të jenë varrosur personat e zhdukur.
Komisioni Qeveritar ka theksuar se, në rastin e luftës në Kosovë, kjo problematikë lidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit nga Serbia dhe pamundësinë për të pasur qasje në arkivat e saj ushtarake.
Megjithatë, në njoftimin e Komisionit nuk është specifikuar se cilat arkiva apo dokumente konkrete të institucioneve serbe janë kërkuar në këtë fazë.
Në takimin në Gjenevë u diskutua edhe bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Komisionit Qeveritar veçanërisht në shkëmbimin dhe analizimin e të dhënave.
Sipas Komisionit, gjatë viteve të fundit një pjesë e punës është mbështetur në raporte analitike të përgatitura nga të dhënat e siguruara përmes arkivave ndërkombëtare. Ky bashkëpunim, sipas tyre, ka ndihmuar në avancimin e disa rasteve të personave të zhdukur.
Palët diskutuan gjithashtu rolin që komisioni mund të ketë në fazat e ardhshme të procesit, në një kohë kur institucionet e Kosovës kanë shprehur synimin që kërkimi i personave të zhdukur të zhvillohet nën përgjegjësi dhe juridiksion të plotë të institucioneve vendore.
Në Gjenevë u diskutua edhe për përmirësimin e kuadrit ligjor, të drejtat e familjeve të personave të zhdukur, shkëmbimin e përvojave me shtetet që kanë kaluar nëpër konflikte, si dhe dokumentimin dhe përkujtimin e viktimave.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Komisioni Qeveritar, 1,564 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë.
Kryetari i Komisionit, Agron Limani, ka kërkuar vazhdimin e kërkimeve, sigurimin e informacioneve të reja dhe hapjen e arkivave përkatëse të institucioneve serbe. Ai ka bërë thirrje edhe për përdorim më të madh të ekspertizës profesionale dhe teknologjisë moderne në procesin e identifikimit dhe gjetjes së personave të zhdukur.
Gërmimet në Zubin Potok
Kërkesa për sigurimin e informacioneve të reja për varret e mundshme vjen pas gërmimeve të zhvilluara gjatë gushtit në territorin e Zubin Potokut.
Në tri lokacione – dy në Kalludër dhe një në Jabukë – janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore. Institucionet e Kosovës kanë vlerësuar se ato mund t’u përkasin të paktën 23 personave.
Në lokacionin e parë në Kalludër janë gjetur mbetje që dyshohet se u përkasin 13 personave, ndërsa në Jabukë janë gjetur mbetje të të paktën katër personave. Në lokacionin e dytë në Kalludër janë gjetur mbetje të të paktën gjashtë personave.
Megjithatë, numri përfundimtar dhe identiteti i viktimave ende nuk janë konfirmuar. Për këtë pritet përfundimi i analizave mjeko-ligjore dhe veçanërisht i analizave të ADN-së.
Gjatë gushtit, procesi i kërkimit u zgjerua gradualisht. Fillimisht u gjetën mbetje mortore në Jabukë, ndërsa më pas u hapën edhe lokacione të tjera në Mala Kaludra.
Më 24 gusht, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e lidhi gjetjen e mbetjeve të të paktën 23 personave me rastin e 23 shqiptarëve të zhdukur më 19 prill 1999, të cilët njihen si pjesëtarë të një grupi intelektualësh nga Mitrovica.
Kurti theksoi se identifikimi i mbetjeve ende nuk ka përfunduar dhe kërkoi nga Serbia hapjen e arkivave të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.
Një kërkesë të ngjashme e ka bërë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka kërkuar që Serbia të ofrojë informacione për fatin dhe vendndodhjet e personave të zhdukur gjatë luftës.
Për analizë të ADN-së, të paktën dhjetë mostra kockore janë dërguar në Hagë. Ndërkohë, më 28 gusht, familjarë të 23 personave të zhdukur kanë vizituar lokacionin në Kalludër të Vogël, i cili nga institucionet e Kosovës është cilësuar si vend i mundshëm i një varri masiv.
Megjithatë, institucionet kanë theksuar se vetëm rezultatet e analizave të ADN-së mund të përcaktojnë nëse mbetjet e gjetura u përkasin personave të zhdukur dhe kujt konkretisht.
Çështja e informacioneve për lokacionet e mundshme të varreve dhe dokumentacionit të kohës së luftës mbetet kështu një nga pikat kryesore të procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve.
27 vjet pas përfundimit të luftës, familjet ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre, ndërsa institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga Serbia hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mund të ndihmojë në identifikimin e vendndodhjeve të personave të zhdukur.

Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve po prek edhe Policinë në Luginën e Preshevës
Vuçiq kandidat për kryeministër, protesta në Nish kundër regjimit të tij
Ischinger: Kos me të drejtë anuloi vizitën në Beograd, çfarë akti i neveritshëm të nderosh një vrasës masiv
Serbia nderon Mlladiqit, reagon Kurti: Vështirë të flitet me atë shoqëri për përballje me të kaluarën
Kurti: Memorandumi i SANU-së dhe elitat serbe duhen studiuar me saktësi
Dehari thërret vazhdimin e seancës konstitutive më 9 shtator
Gazetari Ermal Panduri denoncon në Polici dyshimet për përndjekje, thotë se mund të ketë lidhje me BIA-n