Prishtinë, 30 gusht 2026 15:16
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në Takimin e 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit (PIF), që po mbahet në Koror të Palaut nga 30 gushti deri më 4 shtator 2026.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum përbën mundësi për forcimin e marrëdhënieve me shtetet e Paqësorit, zgjerimin e angazhimit diplomatik në këtë rajon dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë qëndrimit në Palau, Konjufca pritet të zhvillojë takime me krerë shtetesh e qeverish, ministra të jashtëm dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve pjesëmarrëse.
Në takimet dypalëshe dhe në aktivitetet në margjinat e samitit synohet forcimi i marrëdhënieve ekzistuese, krijimi i partneriteteve të reja dhe zgjerimi i bashkëpunimit me vendet e Paqësorit.
Në kuadër të forumit do të diskutohen çështje që lidhen me qëndrueshmërinë ekonomike, ndryshimet klimatike, qeverisjen e oqeaneve dhe peshkimit, sigurinë rajonale, reformën institucionale dhe forcimin e unitetit të Paqësorit.
Sipas MPJD-së, Kosova synon të kontribuojë, në përputhje me kapacitetet e saj dhe nevojat e vendeve të rajonit, në fusha si qëndrueshmëria klimatike, gatishmëria ndaj fatkeqësive, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e burimeve natyrore.
Në agjendën e bashkëpunimit përfshihen gjithashtu arsimi, ngritja e kapaciteteve të sektorit publik, siguria, zhvillimi digjital dhe shkëmbimet ndërinstitucionale.
MPJD-ja ka theksuar se diplomacia kulturore, bashkëpunimi arsimor dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve janë po ashtu pjesë e angazhimit të Kosovës për krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me popujt e Paqësorit.
Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e PIF-it, sipas ministrisë, synon të shërbejë si bazë për një angazhim më të fuqishëm dhe afatgjatë me rajonin e Paqësorit, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, interesat e përbashkëta dhe partneritetet e qëndrueshme.

Britania e Madhe rikonfirmon përkrahjen për Kosovën
Serbia nën kritika për financimin e Kosovës dhe pengimin e projekteve shqiptare në Luginë
Kosova propozon marrëveshje me SHBA-në për të ardhmen e Bondsteelit
Dokumentacioni kadastral mbetet i pakthyer, Kurti: Serbia nuk e respektoi marrëveshjen
Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
Konstituohet Bordi i Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, synohet ulja e importeve të rrymës
Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nga godina del tym i zi
Mbi 15 miliardë euro projekte, Prishtina pret Balkan Summit 2026