Prishtinë, 14 tetor 2026 13:29
Mbi 110 projekte të reja dhe të modernizimit, me vlerë mbi 15 miliardë euro vetëm në infrastrukturën publike, pritet të prezantohen gjatë Balkan Summit 2026, që do të mbahet në Prishtinë më 19 dhe 20 tetor.
Samiti synon të bashkojë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një platformë të përbashkët investimesh, me synim tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë, institucioneve financiare dhe kompanive që mund të marrin pjesë në realizimin e projekteve.
Sipas organizatorit Driton Dalipi, fokusi kryesor nuk do të jetë vetëm diskutimi, por konkretizimi i projekteve dhe krijimi i partneriteteve mes institucioneve publike, kompanive zbatuese dhe financuesve.
Ai ka thënë se bashkimi i tri tregjeve krijon një portofol më të madh projektesh dhe e bën rajonin më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
Në kuadër të samitit pritet të diskutohen projekte në sektorë si transporti, energjia, uji, infrastruktura digjitale, qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale, industria, turizmi, bujqësia dhe shërbimet digjitale.
Në fokus do të jenë edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe zhvillimore, përfshirë Bankën Botërore, DFC-në amerikane, bankën gjermane KfW dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Megjithatë, organizatorët kanë theksuar se prania e këtyre institucioneve nuk nënkupton automatikisht financimin e projekteve, pasi për këtë nevojiten qëndrueshmëri ekonomike, bazë e qartë ligjore dhe përgatitje e duhur e projekteve.
Sipas organizatorëve, synimi është që për secilin projekt të përcaktohet nëse është i gatshëm për investim, çfarë përgatitjesh i nevojiten dhe cilët partnerë mund të angazhohen për realizimin e tij.
Balkan Summit 2026 pritet të ketë edhe vazhdimësi rajonale. Pas edicionit të parë në Prishtinë, plani është që samiti të mbahet në Tiranë në vitin 2027 dhe në Shkup në vitin 2028.
Ndërkohë, faqja zyrtare e samitit e paraqet ngjarjen si një platformë investimesh që lidh tri tregje – Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – me investitorë dhe kompani nga tregje ndërkombëtare. Sipas organizatorëve, në platformë është përfshirë një portofol projektesh publike infrastrukturore që tejkalon 20 miliardë euro.
Organizatorët thonë se suksesi i samitit nuk do të matet me numrin e pjesëmarrësve apo paneleve, por me atë se sa projekte do të kalojnë më pas në fazën e vlerësimit, sa partneritete do të krijohen dhe sa investime do të arrijnë deri në zbatim.

Qeveria formon grupin për mbështetjen e apelit të ish-krerëve të UÇK-së
Protesta në Tiranë përshkallëzohet në përplasje me policinë, 21 persona marrin ndihmë mjekësore
Të premten rivarrosen eshtrat e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj
41 milionë euro investim për modernizimin e sistemit shëndetësor
Më 17 nëntor vendimi për Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë
Vrasje, dëbime dhe spastrim etnik: Prokuroria ngrir aktakuzë për krime lufte në Zveçan
Mbi 15 miliardë euro projekte, Prishtina pret Balkan Summit 2026
Komuna e Mitrovicës së Veriut pa premtime dhe pa standarde të qarta llogaridhënie
Serbia nën kritika për financimin e Kosovës dhe pengimin e projekteve shqiptare në Luginë