Prishtinë, 14 tetor 2026 19:58
Kosova ka bërë një hap të ri drejt rritjes së kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike, me konstituimin e Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, ndërmarrje e re publike që do të menaxhojë sistemin e baterive në Istog.
Sipas të dhënave të bëra publike, sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 125 megavatësh, ndërsa synimi kryesor i projektit është ruajtja e tepricave të energjisë elektrike dhe përdorimi i tyre në periudhat kur kërkesa është më e lartë. Kjo pritet të ndikojë edhe në zvogëlimin e nevojës për import të energjisë.
Takimi i parë konstituiv i Bordit u mbajt të mërkurën nga Ministria e Ekonomisë, ku morën pjesë kryeministri në mandat teknik Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në realizimin e projektit.
Kurti tha se krijimi i KRE-së i shton sistemit energjetik të Kosovës një kapacitet që deri më tani i ka munguar. Ai bëri të ditur se programi ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, krahas sistemit të baterive në Istog, kapaciteti i ri do t’i bashkohet edhe sistemit prej 90 megavat-orësh të KOSTT-it në Ferizaj, duke e çuar kapacitetin e ri të ruajtjes së energjisë në 340 megavat-orë.
Ndërkaq, ministrja Artane Rizvanolli bëri të ditur se dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive. Sipas saj, punimet pritet të nisin gjatë vitit të ardhshëm dhe të përfundojnë në vitin 2028.
Rizvanolli theksoi se projekti nuk synon vetëm ndërtimin e infrastrukturës, por edhe krijimin e kapaciteteve profesionale për menaxhimin dhe zhvillimin e teknologjisë së ruajtjes së energjisë.
Ajo tha se mungesa e fleksibilitetit në sistemin energjetik mbetet një sfidë për Kosovën, ndërsa KRE-ja pritet të mundësojë ruajtjen e energjisë kur ka teprica dhe shfrytëzimin e saj në momentet kur kërkesa është më e madhe.
Drejtori i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Rinor Gjonbalaj, tha se konstituimi i Bordit shënon fillimin e një faze të re, me fokus në ndërtimin e një ndërmarrjeje publike profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme.
Projekti për ruajtjen e energjisë është pjesë e Programit Kompakt, i cili financohet kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe synon të forcojë sektorin energjetik të Kosovës.

Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nga godina del tym i zi
Mbi 15 miliardë euro projekte, Prishtina pret Balkan Summit 2026
Qeveria formon grupin për mbështetjen e apelit të ish-krerëve të UÇK-së
Protesta në Tiranë përshkallëzohet në përplasje me policinë, 21 persona marrin ndihmë mjekësore
Të premten rivarrosen eshtrat e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj
41 milionë euro investim për modernizimin e sistemit shëndetësor
Britania e Madhe rikonfirmon përkrahjen për Kosovën