Prisbtinë, 18 gusht 2026 08:08
Ujëvara e Korishës, vetëm pak minuta larg qytetit të Prizrenit, po shndërrohet gradualisht në një prej destinacioneve më tërheqëse për adhuruesit e natyrës, freskimit dhe piknikut.
E rrethuar nga gjelbërimi dhe peizazhi i bukur malor, kjo hapësirë natyrore po tërheq çdo ditë e më shumë vizitorë vendas, bashkatdhetarë dhe turistë të huaj. Për shumë prej tyre, Ujëvara e Korishës është një dëshmi tjetër se Kosova, përveç trashëgimisë kulturore, ka edhe pasuri të jashtëzakonshme natyrore që ia vlen të eksplorohen.
Një prej vizitoreve është Anki nga Gjermania, e cila gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë zgjodhi ta kalojë ditën pranë ujëvarës.
“Jam nga Gjermania dhe kjo është hera ime e parë në Kosovë. Kemi hulumtuar në internet dhe kemi parë se është një vend i përshtatshëm për piknik. Është një vend shumë i bukur dhe më pëlqeu shumë”, ka thënë ajo.
Në ditët e nxehta të verës, ujëvara është kthyer në një pikë të preferuar edhe për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë për pushime.
Sabahat Krasniqi, e cila jeton në Danimarkë, thotë se e viziton këtë vend pothuajse çdo vit.
“Shumë më pëlqen këtu. Më pëlqen uji, natyra, njerëzit dhe shoqëria e mirë. Më pëlqen të dal me familje. Duhet të investohet këtu, sepse me investime të mira bëhet edhe shumë më bukur”, shprehet ajo.
Edhe për Leonora Hamzën, vizita në Ujëvarën e Korishës ishte një mundësi për t’ua prezantuar fëmijëve të saj një tjetër anë të bukur të Kosovës.
“Kam pasur qejf të vij dhe t’ua tregoj fëmijëve, sepse në Danimarkë nuk kemi diçka të tillë. Është bukur të shohësh se çfarë ka Kosova”, thotë ajo.
Komuna e Prizrenit ka ndërmarrë tashmë disa hapa për krijimin e kushteve më të mira për vizitorët. Dy vite më parë janë investuar hapësira për pushim, ndërsa synimi është që Ujëvara e Korishës të përfshihet më fuqishëm në ofertën turistike të qytetit.
Drejtori i Turizmit në Prizren, Adem Morina, thotë se Korisha ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit.
“Korisha është një vend me të vërtetë turistik. Hapësirat e ujëvarës janë të mahnitshme. Kemi shumë turistë të cilët kërkojnë informacione se cilat pjesë janë më interesante për t’u vizituar. Po presim që vitin e ardhshëm ta kemi edhe një platformë digjitale, ku turistët mund t’i shohin të gjitha pikat turistike”, ka deklaruar Morina.
Me investime të mëtejshme në infrastrukturë, qasje, mirëmbajtje dhe promovim, Ujëvara e Korishës mund të bëhet një prej pikave të rëndësishme të turizmit natyror në Kosovë.
Nga malet e Rugovës e deri te ujëvarat, liqenet, lumenjtë dhe peizazhet e shumta natyrore, Kosova po dëshmon se ka shumëçka për t’u ofruar vizitorëve. Ujëvara e Korishës është një tjetër shembull i kësaj pasurie, duke sjellë turistë, familje dhe bashkatdhetarë pranë natyrës dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit rural dhe ekonomisë lokale.

Ibishi: Drita e gjelbër nga Brukseli për hapjen e urës mbi Ibër, arritje e jashtëzakonshme
Mësimi shqip në mërgatë, lidhje mes gjuhës dhe identitetit kombëtar
EMV e Maqedonisë së Veriut nënshkruan me KEK kontratë 3 vjeçare për blerjen 3 milionë tonëve qymyr
MINTI: Ueb-faqja e Konsumatorit, cak i sulmit kibernetik
Për 7 muaj Dogana mbledh mbi 1.15 miliardë euro
Parku Industrial i Podujevës, investim mbi 3 milionë euro për zhvillimin ekonomik të Llapit
Një i vdekur dhe tre të lënduar nga aksidenti në Kliqinë të Pejës