Prishtinë, 14 gusht 2026 10:48
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Shërbimi Korrektues i Kosovës po zhvillohet dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e partnerëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar Kosovën si model në rajon për këtë fushë.
Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së 46-të të Trajnimit Profesional për Zyrtarë Korrektues, ku 100 kadetë përmbyllën me sukses përgatitjen profesionale dhe iu bashkuan Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria”, tha Kurti.
Ai theksoi se në tri vitet e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë të rinj, duke e cilësuar këtë si investim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore.
“Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, përparimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës tashmë po vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por sidomos në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese”, deklaroi ai.
Kurti u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet, duke theksuar se autoriteti i tyre duhet të matet me drejtësinë dhe respektin që tregojnë në punë.
Në ceremoninë e diplomimit foli edhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili tha se detyra e zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në garantimin e sigurisë dhe rendit, por përfshin edhe rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.
“Siguria dhe respekti për dinjitetin njerëzor nuk janë të kundërta, ato ecin bashkë. Ligji është udhërrëfyesi juaj, profesionalizmi është fuqia juaj, integriteti është mbrojtja juaj”, tha Dibrani.
Ai u kërkoi zyrtarëve të rinj që ta ruajnë integritetin dhe profesionalizmin në çdo situatë, duke theksuar se çdo veprim i tyre ndikon drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
Dibrani falënderoi familjarët e kadetëve, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, instruktorët dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë për mbështetjen në përgatitjen e gjeneratës së re të zyrtarëve korrektues.
Në fund të ceremonisë, Kurti uroi gjeneratën e 46-të për detyrën e re, duke u bërë thirrje që “ta mbajnë lart uniformën, ta zbatojnë ligjin dhe të shërbejnë me ndershmëri”.

ATK evidenton rreth 60 milionë euro tatime të shmangura
Të premten në autostrada s’lejohen automjetet me mbi 20 tonë (11:00-17:30)
100 kadetë të rinj, forcë e re për Shërbimin Korrektues të Kosovës
Policia e Kosovës shoqëron për intervistim predikuesin boshnjak Elvedin Peziq
Koci: Serbia e akuzon Dugagjin Maxhunin për krime lufte, ai nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së
Pylli përfshihet nga flakët në Gllarevë të Klinës
Masakra e Tivarit`, filmi që rikthen në kujtesë tragjeditë e historisë sonë
Fehim Sali dyshohet se mblidhte informacione për vehabistë e persona të tjerë që mund t’i rekrutonte
Kurti: Kosova, model në rajon për shërbimin korrektues
Filmi kosovar “Dua” përballet me propagandën serbe para premierës rajonale