Prishtinë, 12 nëntor 2026 17:08
Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë gërmimeve për lokalizimin e një varri të dyshuar, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Megjithatë, gjatë ditës së parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite.
Pas vazhdimit të kërkimeve më 12 nëntor, në këtë lokacion janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Policisë së Kosovës, përkatësisht Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamenti për Krime Lufte.
Komisioni ka bërë të ditur se trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare.
Në këtë proces kanë kontribuar edhe familjet e personave të zhdukur, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarë që kanë ofruar informacione të rëndësishme për lokacionin.
Komisioni Qeveritar ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e kërkimeve deri në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë.

Radulloviqi përballet me akuzat për terrorizëm në Banjskë, ndërpritet seanca
Krimet e luftës në Gjilan, dëshmitari: Gjurmët e plumbave ende janë të dukshme
Zvonko Veselinoviq largohet drejt Turqisë, fluturon nga Sarajeva për në Stamboll
Gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëshmia e Tiana Viqentijeviqit vazhdon muajin e ardhshëm
Arrestime nga Serbia, por pa dëshmi në gjykatë: Rasti i Behar Preniçit argumenton gjahun ndaj qytetarëve të Kosovë
Dokumentari kosovar vlerësohet në Milano, çmim ndërkombëtar për “Karate e Yjeve”
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Sveçla: 782 milionë euro shpenzime për Policinë, 189 milionë për pajisje dhe armatim