- Prishtinë, 14 gusht 2026 08:15
Administrata Tatimore e Kosovës pohon se ka rritur për 35 për qind numrin e kontrolleve ndaj bizneseve në vend, sidomos ndaj atyre sezonale.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, thotë se gjashtëmujorin e parë të 2026-tës janë realizuar rreth 1.015 kontrolle, nga të cilat janë evidentuar rreth 60 milionë euro shmangie nga tatimi.
Kontrollet, sipas tij, janë përqendruar kryesisht në sektorët që kanë rritje sezonale të qarkullimit, përfshirë pishinat, sallat e dasmave, hoteleritë dhe sallonet e ondulimit.
“Qëllimi është të targetohen sektorët që, potencialisht, në bazë të riskut, dalin që kanë evazion fiskal të shtuar në këtë sezon”, tregon Hyseni.
Ndër sektorët që ATK-ja i konsideron më problematikë për shmangie tatimore, sipas Hysenit, janë edhe ndërtimtaria, tregtia me shumicë, hoteleria dhe disa shërbime të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, Hyseni thotë se janë shqiptuar rreth 2.500 gjoba, apo rreth 8 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Hyseni tregon se evazioni fiskal është problem i madh për Kosovën. Institucionet e vendit, sipas tij, nuk kanë ndonjë vlerësim për nivelin e kësaj dukurie. Vlerësimet që ekzistojnë janë bërë nga institucione ndërkombëtare dhe datojnë nga periudha 2019-2020, kur evazioni fiskal vlerësohej në 25 deri në 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Në bazë të PBB-së prej mbi 10 miliardë eurosh, edhe vetëm 25 për qind do të përbënte rreth një të katërtën e kësaj vlere, thotë ai. “Është jashtëzakonisht e lartë vlera e evazionit fiskal”, shprehet Hyseni.
Shefi i ATK-së thotë se kontrollet po zhvillohen edhe në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
“Vetëm këtë vit, në këtë zonë janë regjistruar rreth 230 biznese të reja, me rreth dy milionë euro qarkullim”, tregon Hyseni.
Një tjetër shqetësim i madh për ATK-në, sipas tij, mbetet borxhi i bizneseve. Rreth 800 milionë euro është borxhi total që bizneset kanë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999.
ATK-ja, thotë Hyseni, synon që deri në fund të vitit të mbledhë rreth 1.2 miliard euro të hyra tatimore, krahasuar me një miliard euro sa ishin mbledhur vitin e kaluar.

Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Radulloviqi përballet me akuzat për terrorizëm në Banjskë, ndërpritet seanca
Krimet e luftës në Gjilan, dëshmitari: Gjurmët e plumbave ende janë të dukshme
Zvonko Veselinoviq largohet drejt Turqisë, fluturon nga Sarajeva për në Stamboll
Gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëshmia e Tiana Viqentijeviqit vazhdon muajin e ardhshëm
Arrestime nga Serbia, por pa dëshmi në gjykatë: Rasti i Behar Preniçit argumenton gjahun ndaj qytetarëve të Kosovë
Lutfi Dalipi zgjedh Kosovën, mbërrin sonte në Prishtinë
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Sveçla: 782 milionë euro shpenzime për Policinë, 189 milionë për pajisje dhe armatim