Prishtinë, 13 gusht 2026 21:00
Rrjetet e dyshuara të spiunazhit po përballen me goditje të njëpasnjëshme në Kosovë. Autoritetet e inteligjencës, sigurisë dhe të drejtësisë po vazhdojnë arrestimet e personave të dyshuar për bashkëpunim me struktura të inteligjencës serbe, përfshirë BIA-n. Vetëm sot, në Merdar të Podujevës është arrestuar Fehim Sali, nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit.
Arrestimi është kryer në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, Fehim Sali është arrestuar sot në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”. Me aktvendim të Prokurorisë, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndërkohë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do t’ia parashtrojë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq. Sali punon arsimtar në shkollën serbe ?9 Maji? në Rapçë të Dragashit. Më herët, ai ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes. Sipas dyshimeve të ngritura nga autoritetet, Sali është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar edhe në grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandër Vuçiqit.
Rasti i fundit rikthen në vëmendje shqetësimet për aktivitetin e dyshuar të strukturave të inteligjencës serbe në Kosovë. Profesorë dhe njohës të sigurisë vlerësojnë se spiunazhi përbën kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Sipas tyre, aktiviteti i spiunazhit nuk kufizohet vetëm në mbledhjen e informacionit, por mund të synojë institucionet, strukturat e sigurisë dhe informacionet e ndjeshme.
“Sali është i dyshuar për bashkëpunim për një kohë të gjatë në shërbim të BIA-s, përmes identifikimit dhe ofrimit të shtetasve të Kosovës si target për rekrutim në BIA dhe përmes ndërmjetësimit për rregullimin e dokumenteve të Serbisë”, tha Arben Fetoshi nga Instituti Octopus.
“Atyre më së tepërmi i intereson infrastruktura kritike e Kosovës, veçanërisht pjesët më të ndjeshme, ku mund të shkaktohen dëme më të mëdha. Numri i pjesëtarëve të FSK-së, personeli i Policisë së Kosovës, i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës”, theksoi Hysen Gecaj, njohës i sigurisë.
Rasti i Fehim Salit nuk është i pari. Nga viti 2024 deri në vitin 2025, në Kosovë janë arrestuar së paku shtatë persona nën dyshimet për spiunazh, në raste që kryesisht lidhen me dyshime për bashkëpunim me shërbimin inteligjent serb BIA. Në mesin e të arrestuarve dhe të dënuarve janë Aleksandër Vlajiq, Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Hysri Selimi, Jelena Gjukanoviq, Bojan Jevtiq dhe Fatmir Sheholli. Rastet e njëpasnjëshme kanë ngritur shqetësime për veprimtarinë e dyshuar të strukturave të inteligjencës serbe dhe për përpjekjet për depërtim, rekrutim dhe mbledhje të informacioneve brenda Kosovës.

“Dosja 23”: Në Zubin Potok sekuestrohen armë, predha, libreza ushtarake dhe para të gatshme (Video)
Fronti hibrid, alarm për sigurinë në Kosovë
Policia e Kosovës dhe FBI-ja forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit
Shala: Kërcënimi nuk është zhdukur, Kosova duhet të zbulojë në kohë operacionet destabilizuese
Banjska, tri vjet më pas: Tre të dënuar në Kosovë, Radoiçiqi ende në Serbi
Kosova dhe SHBA-ja forcojnë partneritetin në mbrojtje, synohet avancimi i kapaciteteve të FSK-së
Takohen Kurti e Hamza
Kosova mposhtet nga Austria në Vjenë
Protesta në Shkup, Gjenevë, Oslo, Treviso, Melburn dhe në disa qytete të Gjermanisë kundër aktgjykimit të Speciales
Kosova në disavantazh prej dy golave pas pjesës së parë