Prishtinë, 11 gusht 2026 18:04
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, gjatë një takimi me senatoren amerikane Joni Ernst në objektin e Qeverisë sot.
Ernst konsiderohet një nga avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Qeveria e Kosovës e ritheksoi qëndrimin që Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Kurtit, një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe do të përbënte një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.
Gjatë takimit, Kurti e ka informuar senatoren amerikane edhe për, siç thuhet, progresin e dukshëm të Kosovës në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.
Kurti dhe Ernst kanë diskutuar gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve mes partive politike parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Ernst u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Bondsteeli është një bazë ushtarake amerikane në Kosovë, e ndërtuar në vitin 1999, pas përfundimit të luftës. Baza ndodhet pranë Ferizajt, në zonën e Sojevës, dhe është ndërtuar nga ushtria amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Baza është emërtuar në nder të James L. Bondsteel, një ushtar amerikan i dekoruar për shërbimin e tij gjatë Luftës së Vietnamit.

Deklarata kundër Speciales, Haxhiu: Do të kontribuojmë në draftimin e saj
Projektligji për Specialen i dërgohet Qeverisë për shqyrtim
Kuvendi të hënën mban seancë
Kryesia e Kuvendit nis mbledhjen e parë të legjislaturës së 11-të
Ambasada amerikane konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën
Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, në rend dite komisionet parlamentare
Gërvalla: Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit
Aktivizohen institucionet pas mishit të skaduar të destinuar për Kosovën
Mbi 14 mijë qytetarë kërkojnë “Ferizaj pa Urosevac”, kërkesa synohet të dorëzohet në Ditën e Dëshmorëve