Prishtinë, 27 korrik 2026 20:57
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Dragisha e Jovan Viqentijeviqit si dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”. Gjatë seancës u dëgjuan dëshmitë e drejtorit të Infrastrukturës në “Ibër-Lepenc”, Ernest Kërçeli, i cili tha se dëmet kapin vlerën e 375 mijë eurove, si dhe të ekspertit të ADN-së, Fatmir Ademi, sipas të cilit nga mostrat e analizuara, 20 lidhen me të akuzuarin Jovan Viqentijeviq.
Ernest Kërçeli, drejtor i Infrastrukturës në “Ibër-Lepenc” dhe Fatmir Ademi, ekspert i ADN-së në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë dëshmuan të hënën ndaj tre të akuzuarve për sulmin ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”: Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.
Dëshmitari Kërçeli, që foli edhe si palë e dëmtuar, tha se dëmet nga sulmi i 2024-s në fshatin Varagë, arrijnë në 375 mijë euro.
Ai tha se dëmi ishte më i madh se që ishte menduar në fillim dhe se pasojat kanë mundur të jenë fatale nëse nuk do të intervenohej shpejt.
Në pyetjen e gjyqtarit Vesel Ismaili, se cilat do të ishin pasojat, dëshmitari ndër të tjera përmendi mundësinë e kolapsit të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërmarrje që furnizohet me ujë nga kanali i “Ibër-Lepencit”.
“Dëmet do të kishin qenë shumë të mëdha për qytetarët e Kosovës. Nuk do të kishte rrymë, nuk do të kishte linja telefonike. Qytetarët e Prishtinës që furnizohen nga Termokosi nuk do të kishin mundur të ngroheshin. Spitalet, QKUK-ja, nuk do të kishin energji, ngrohje dhe furnizim me ujë”, ka deklaruar dëshmitari Ernest Kërçeli, drejtor i Infrastrukturës në “Ibër-Lepenc”.
Gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmitari tjetër, Fatmir Ademi, ekspert i ADN-së në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, i cili bëri ekzaminimin e 50 dëshmive të marra nga vendi i ngjarjes.
Sipas tij, 20 prej mostrave e lidhin të akuzuarin Jovan Viqentijeviq me ngjarjen e ndodhur.
“Sa u përket përputhjeve të personave me shifrat S1 dhe S2, ato janë paraqitur në raportet e ADN-së. Ajo që është me rëndësi është konkluzioni numër pesë, ku ndër dëshmitë e tjera kanë qenë edhe tri dëshmi nga vendi i ngjarjes me profile të përziera të ADN-së, të cilat i kemi kontrolluar në mënyrë manuale. Në dëshminë numër MR4, e përshkruar si fitil ndezës me gjatësi nëntë metra, gjatë kontrollimit manual kemi vërejtur shenjat e personit me shifrën S1, Jovan. Nga 24 shenja të S1, i kemi gjetur në 20 vende. Meqenëse nuk kemi pasur softuer për analizimin e këtyre profileve dhe nuk e kemi pasur të validuar metodën, i kemi sugjeruar hetuesisë që interpretimin e kësaj përzierjeje ta kërkojë jashtë vendit, në një shtet që e ka të validuar metodën”, ka thënë në dëshminë e tij Fatmir Ademi, ekspert i ADN-së në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Sipas Ademit, në mungesë të metodave për ekzaminim të mëtejshëm të mostrave, është rekomanduar që interpretimi i tyre të bëhet jashtë vendit.
Për këtë, prokurori Bekim Kodraliu njoftoi se është përpiluar raport edhe nga një laborator në Romë, i cili, sipas dëshmitarit Ademi, nuk ka gjetur kundërthënie me raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, por vetëm i ka konfirmuar gjetjet.
Me kërkesë të palës mbrojtëse, seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë më pas në orën 13:30. Sipas avokatëve të të akuzuarve, dëshmitari Ademi është i rëndësishëm për ta dhe se nuk ishin të përgatitur për të vazhduar me pyetje”.
Prokuroria Speciale i akuzon që të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje. E dy vëllezërit Viqentijeviq edhe për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste” dhe “spiunazhit”.

Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Maqedonci në konferencën e sigurisë në Berlin, në fokus kërcënimi nga Rusia
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante