Prishtinë, 23 korrik 2026 13:46
Nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, në qytetin e Sllavonski Brod është zbuluar një pllakë përkujtimore në nderim të dhjetë viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor më 25 korrik në vitin 2021.
Siç bën të ditur Ambasada, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësuesi special i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Genc Metaj, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marusiq, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Sllavonski Brodit, Martina Martiq Puaça, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe qytetarë të shumtë.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, tha se vendosja e pllakës përkujtimore nuk është vetëm një akt simbolik, por një shprehje e përgjegjësisë morale për të ruajtur kujtesën e viktimave dhe për të treguar se dhimbja e familjeve të tyre mbetet një dhimbje e përbashkët.
Berishaj rikujtoi se aksidenti i 25 korrikut 2021 u mori jetën dhjetë personave, la 15 të plagosur rëndë dhe rreth 30 të tjerë me lëndime më të lehta, duke theksuar se pas këtyre shifrave fshihen histori njerëzore dhe familje, jeta e të cilave ndryshoi përgjithmonë.
Siç thuhet në njoftimin e Ambasadës, një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Adnan Vuniqit, mbështetja e të cilit bëri të mundur realizimin e projektit përkujtimor.
Në përmbyllje të ceremonisë, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marusiq, u shprehu solidaritet familjeve të viktimave, duke theksuar se asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen e tyre, por se ato nuk janë vetëm në këtë pikëllim.
Ai tha se pllaka do të mbetet një simbol i përhershëm i kujtimit për viktimat dhe një thirrje që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

Rrjeti i BIA-s për SNS-në: Mbledhje votash dhe evidentim i kundërshtarëve në Kosovë
Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve të jetë pjesë e politikave shtetërore
Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin